Kërçeli: Nëse Limaj e sheh një mundësi të bashkëpunimit me LVV-në, le ta votoj Albulena Haxhiun!

Publikuar më: 02-05-2025 20:17
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, është i ftuari i radhës në ‘Blic Interview’. Ndër të tjera, ai foli edhe për mundësinë e bashkëpunimit ose një koalicioni të mundshëm me partinë e drejtuar nga Fatmir Limaj, NISMA Socialdemokrate. Ai tha se ka pasur takime mes Kurtit dhe Limajt, por që nuk ka asgjë të finalizuar, pra një marrëveshje të përbashkët mes palëve. Sipas Kërçelit, nëse Limaj e sheh një mundësi të bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë duhet ta tregojë tash konstruktivitetin dhe mbështetjen e tij, duke e votuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit. “Ka pasur takimet mes Kurtit dhe Limajt, por nuk ka asgjë të finalizuar. Ne dëshirojmë të shohim se si e sheh edhe zotëri Limaj konstitutimin e Kuvendit. Unë mendoj që edhe ai duhet ta votojë kryetaren e Kuvendit, pra kandidaten Albulena Haxhiu. Nëse Limaj e sheh një mundësi të bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë duhet ta tregojë tash konstruktivitetin dhe mbështetjen e tij. Nëse në fillim shohim kushte dhe kushtëzime, mendoj që nuk na dërgon drejt një zgjidhje të duhur“, tha fillimisht ai. Tutje, ai u pyet edhe për votimin e fshehtë, metodë kjo me të cilën tentuan të votojnë dje deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai tha se ky vendim erdhi pak para fillimit të seancës. “Para seancave mbajmë një mbledhje të grupit parlamentar, aty diskutojmë se si të veprojmë tutje. Vendimi atë ditë për votimin e fshehtë ka qenë një ide spontane. Qëllimi ishte të provojmë edhe në këtë mënyrë. Nuk e di nëse do të veprojmë përsëri në këtë mënyrë, sepse siç e thash, ne vendimet i marrim para çdo seance”, deklaroi Kërçeli në Blic Interview raporton “Gazeta Blic”.
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu