Aktuale
Më shumë se një ngjyrë rozë: Pse beteja ndaj kancerit të gjirit kërkon angazhim gjatë gjithë vitit
Reklamë e Sponsorizuar
Nga Nora Makolli
Gjatë orëve të para të mëngjesit, teksa po siguroja ushqimin për djalin tim përpara nisjes për në shkollë, vëmendja ime u tërhoq nga një detaj që më detyroi të ndalesha për pak çaste. Shishet e ujit të një ndërmarrjeje të njohur në vend ishin veshur me ngjyrën rozë, duke mbajtur shenjën dalluese të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit.
Si një grua që vetë e ka shkelur këtë shteg sfidues, nuk munda pa buzëqeshur. Është gjithnjë prekëse të konstatosh se kjo sëmundje nuk mbulohet nga harrresa dhe se ekzistojnë njerëz e kompani që shfaqin solidaritet me ata që po e zhvillojnë ose e kanë fituar këtë përballje.
Megjithatë, menjëherë pas atij çasti gëzimi, në mendjen manë bufuan disa pikëpyetje: A mjaftohet me një etiketë rozë në një ambalazh uji për të zgjuar ndërgjegjen shoqërore? A e nxit kjo qytetarët që të ndalen e të mendojnë thellë për shëndetin e tyre? A i nxit vajzat dhe gratë që të kryejnë kontrolle më herët? Apo thjesht na përkujton për pak sekonda kalimin e muajit tetor, për ta kthyer pastaj jetën në normalitetin e zakonshëm sikur të mos ketë ndodhur asgjë?
Mos më keqkuptoni, çdo lloj nisme është plotësisht e mirëseardhur dhe meriton lëvdata. Por, sipas gjykimit tim, vetëdijesimi i mirëfilltë kërkon një themel shumë më të gjerë dhe më të thellë se kaq.
Ai duhet të nisë që në bankat e shkollës. Duhet t’u përcjellim vajzave dhe djemve tanë kuptimin se kujdesi për shëndetin nuk përbën luks e as një detyrim që kujtohet vetëm kur shfaqet sëmundja. Kjo duhet të transformohet në kulturë, në një komponent të pandashëm të përditshmërisë sonë.
Brenda periudhës së tetorit, ne ndeshim shpesh në ekrane emisione, biseda dhe intervista me mjekë onkologë të cilët e trajtojnë patologjinë nga pikëpamja shkencore. Kjo padyshim që ka rëndësi të dorës së parë. Por rrallëherë vërej të ftohen në studio persona që e kanë provuar mbi lëkurën e tyre këtë sfidë.
Individët që e kuptojnë saktësisht se çfarë përjeton një grua kur dëgjon për herë të parë togfjalëshin: “Ju keni kancer.”
Njerëzit që i kanë përjetuar natën pa gjumë, ankthin e frikës, pasigurinë, lotët e fshehur dhe shpresën e brishtë që mbijeton edhe në çastet më të zymta.
Sepse shifrat statistikore na japin informata, por rrëfimet njerëzore na prekin në shpirt.
Ndoshta pikërisht dëshmitë e gjalla të atyre që kanë ecur nëpër këtë rrugë do të kishin fuqinë të shpëtonin më tepër jetë sesa çdo fushatë tjetër. Kur dëgjon dikë që ka qenë pikërisht aty ku ti mund të ndodhesh nesër, atëherë mënyra jote e të menduarit ndryshon rrënjësisht.
Ajo që më shqetëson më fort është realiteti se shifrat e kancerit të gjirit vijojnë të shënojnë rritje nga viti në vit, duke prekur fatkeqësisht edhe shtresa më të reja moshe. Ky fenomen duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për gjithë shoqërinë. Përgjegjësia e ndërgjegjësimit nuk duhet të zgjasë sa një stinë apo vetëm për një muaj. Ai s'duhet të nisë në tetor e të shuhet me mbylljen e tij, por duhet të jetë i pranishëm çdo ditë të vitit.
Nevojitet hapja e sa më shumë shtigjeve për kontrolle preventive, edukim më të gjerë dhe mbështetje më të fuqishme. Duhet të vijë koha kur kontrolli i rregullt mjekësor të shihet po aq natyrshëm sa një vizitë e thjeshtë te mjeku i familjes.
Ana tinëzare e kësaj sëmundjeje qëndron te fakti se ajo shpesh afrohet në heshtje të plotë.
Edhe unë vetë, kur mora vesh diagnozën e kancerit të gjirit në një fazë të përparuar, nuk po e besoja dot. Ndihesha në formë të shkëlqyer, shkoja rregullisht në punë, i përkushtohesha familjes dhe thurja plane për të ardhmen. Nuk kisha asnjë ndjesi se isha e sëmurë.
Dhe kjo përbën arsyen pse kanceri fshihet kaq rrezikshëm. Ai nuk paralajmëron gjithmonë dhe nuk shfaq shenja të dukshme. Ndonjëherë ai zhvillohet në heshtje të plotë, ndërkohë që ti vazhdon rutinat e tua të përditshme duke besuar se gjithçka shkon në rregull.
Për këtë arsye, kontrollet mjekësore shpëtojnë jetë.
Sot, thirrja ime nuk u drejtohet vetëm grave që po bëjnë këtë betejë. Ajo u dedikohet edhe atyre që gëzojnë shëndet të plotë dhe mendojnë se nuk kanë asnjë arsye për t'u kontrolluar, u drejtohet vajzave të reja, nënave, motrave dhe bijave tona. Mos pritni derisa organizmi t'ju shfaqë sinjale alarmante.
Dhe për të gjitha bashkudhëtaret e mia në këtë rrugëtim...
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: