Kronikë
Në kërkim dhe me makinë të vjedhur: 30-vjeçari shkakton kaos në Durrës para se të vihet në pranga
Reklamë e Sponsorizuar
Një operacion i ndërmarrë nga shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh ka përfunduar me arrestimin e një 30-vjeçari, i cili ishte shpallur më parë në kërkim. I riu ka tentuar t'i shmanget patrullës policore, duke u dhënë pas një arratisjeje të rrezikshme që rrezikoi drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe të punonjësve të rendit.
Episodi dramatik u regjistrua rreth orës 23:00 në rrugën “Pavarësia”. Gjatë shërbimit rutinë, efektivët e policisë vërejtën një automjet me xhama të errët dhe pa targa, i cili po kryente lëvizje të dyshimta dhe të rrezikshme në aksin rrugor. Pasi u urdhërua të ndalonte, drejtuesi jo vetëm që nuk iu bind, por marshoi me shpejtësi të madhe për t'i shpëtuar kontrollit.
Gjatë ndjekjes, automjeti i drejtuar nga i dyshuari u përplas me katër mjete të tjera të ndodhura në rrugë. Pasi e pa të pamundur largimin me makinë, ai e braktisi atë dhe provoi të ikte në këmbë, por u kap dhe u neutralizua falë ndërhyrjes së shpejtë të efektivëve të policisë.
Verifikimet e thelluara të kryera në vijim zbuluan se i ndaluari, i identifikuar si M. K., 30 vjeç, ishte person i shpallur në kërkim për veprën penale të vjedhjes. Gjithashtu, rezultoi se makina me të cilën po qarkullonte ishte denoncuar e vjedhur vetëm një ditë më herët në qytetin e Tepelenës.
Ndaj 30-vjeçarit u finalizua arrestimi në flagrancë për disa vepra penale, duke përfshirë vjedhjen, mosbindjen ndaj urdhrit të punonjësve të policisë, shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe drejtimin e parregullt të mjetit.
Dosja procedurale i është përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila do të ndërmarrë hapat e mëtejshëm ligjorë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: