Aktuale
Kur përçarja i hap rrugë unitetit: Dëshmi historike të kompromisit politik për të mirën e përgjithshme
Reklamë e Sponsorizuar
Analiza e rrugëtimit tonë historik dhe shoqëror tregon qartë se përçarjet e brendshme rrallëherë kanë qenë vetëm pasojë e faktorëve të jashtëm. Ato shpesh janë ushqyer nga ambiciet, rivalitetet dhe përplasjet e brendshme për pushtet e ndikim.
Në kohët kur kombi ynë vuante mungesën e një shteti funksional, të sovranitetit të plotë apo të institucioneve të pavarura, lufta për supremacie shpesh zhvillohej brenda vetë gjirit tonë. Ky paradoks mbetet një plagë për t'u reflektuar: si mundej një popull i privuar nga liria të prodhonte kaq shumë përçarje për dominim të brendshëm?
Edhe nënn trysninë e robërisë, kur mbijetesa kolektive kërkonte solidaritet të hekurt dhe bashkërendim hapash, shpesh mbizotëronte mosbesimi, prapaskenat dhe armiqësia e hapur ndërmjet vetë individëve dhe grupeve.
Kjo dëshmon se ndarjet nuk shpjegohen dot vetëm me presionin e pushtuesit. Ato janë ngulitur thellë në kulturën tonë politike, tek brishtësia institucionale, mungesa e besimit të ndërsjellë dhe tek prirja e rrezikshme për ta parë tjetrin si armik të betuar, e jo si partner në ndërtimin e të ardhmes.
Këtu ngrihet pikëpyetja fatlume: çfarë mund të shpresojmë nga të tjerët, kur ne vetë ngremë mekanizma që na dobësojnë nga brenda?
Mentaliteti i përplasjes “të munda apo më munde” përmbledh më së miri një logjikë toksike, ku triumfi i njërit shënon humbjen kolektive të të gjithëve. Kur e gjithë energjia e një shoqërie shkon dëm duke eliminuar kundërshtarin vendor, atëherë përditshmëria jonë vuan nga mungesa e institucioneve të forta, e mbrojtjes së interesit publik dhe e harmonisë shoqërore.
Për fat të mirë, memoria institucionale e Kosovës ruan edhe shembuj të ndritur, ku arsyeja shtetërore ka triumfuar mbi rivalitetin e ngushtë partiak, duke i hapur rrugë ndërtimit të institucioneve.
Menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2001, lideri historik Ibrahim Rugova dhe subjekti i tij politik bënë një hap largpamës, duke pranuar një koalicion qeverisës me kundërshtarët kryesorë. Rugova mori detyrën e presidentit, ndërsa Bajram Rexhepi nga radhët e PDK-së u vu në krye të ekzekutivit si kryeministër, në një qeveri ku bënë pjesë LDK, PDK, AAK dhe minoritetet.
Ky pakt institucional u kurorëzua në një periudhë tejet kritike për Kosovën, e cila kishte nevojë urgjente për funksionalizimin e shtetit të ri dhe për zgjerimin e bazës së bashkëpunimit politik.
Një model i ngjashëm u ndoq edhe gjatë mandatit të ish-presidentit Fatmir Sejdiu. Pas procesit zgjedhor të vitit 2007, PDK dhe LDK, pavarësisht armiqësisë tradicionale politike, gjetën gjuhën e përbashkët për një marrëveshje qeverisëse.
Në janar të vitit 2008, Sejdiu u konfirmua në krye të shtetit, ndërsa Hashim Thaçi mori drejtimin e Qeverisë koale. Ky akord shënoi një gur temeli në hapat vendimtarë drejt shtetformimit dhe konsolidimit politik të Kosovës.
Këto raste dëshmojnë qartë se kompromisi nuk nënkupton tradhti ndaj idealeve partiake apo humbje të identitetit politik. Përkundrazi, në momente kyçe, ai shndërrohet në armën më të fortë të përgjegjësisë shtetërore, sidomos kur ardhmëria e vendit varet nga bashkëpunimi i rivalëve.
Në këtë optikë, dallimet nuk janë problem në vetvete. Ato janë thelbi i çdo demokracie të shëndetshme. Keqkuptimi nis atëherë kur konkurrenca degjeneron në armiqësi personale, kur debati kthehet në hakmarrje dhe kur egot e vogla shkelin pa mëshirë interesin e madh kombëtar.
Një shoqëri e shëndoshë dhe e papërkulur nuk mbahet në këmbë nga mungesa e debateve, por nga pjekuria për t'i menajhuar ato përmes standardeve të larta, institucioneve kredibile dhe kulturës qytetare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: