Ekonomi
Kontratë e re mbi 3.5 milionë euro: SHSKUK-ja siguron barna nga lista esenciale për spitalet e vendit
Reklamë e Sponsorizuar
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka kurorëzuar me sukses një tender prej 3 milionë e 514 mijë e 280 euro e 37 centë, me qëllim furnizimin e institucioneve shëndetësore me barna që bëjnë pjesë në listën esenciale.
Procesi i prokurimit, i cili fillimisht ishte i ndarë në 14 pjesë ndërsa vlera e parashikuar kapte shifrën e mbi 5.5 milionë eurove, ka rezultuar me dhënien e kontratave për 10 lote. Ky furnizim pritet të përmbushë nevojat farmaceutike të të gjithë sistemit spitalor nën ombrellën e SHSKUK-së gjatë një periudhe dyvjeçare, ndërsa të gjitha lotet janë fituar nga operatorët ekonomikë që kanë paraqitur ofertat më të volitshme financiare.
Pjesa më e madhe e buxhetit, konkretisht 1,707,744.60 euro, i është kushtuar lotit për furnizim me agjentë që stimulojnë prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut përmes palcës së eshtrave (erythropoiesis-stimulating agents). Ndërkohë, për mbulimin e nevojave të trajtimit të hemofilisë B dhe parandalimin e gjakderdhjeve gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale përmes lotit 2, janë ndarë 469,440 euro për produktin coagulation factor IX, human.
Sektori i onkologjisë dhe hematologjisë përbën gjithashtu një pjesë të rëndësishme të këtij furnizimi. Për sigurimin e kapsulave nilotinib të destinuara për trajtimin e leukemisë, përmes lotit 6 janë alokuar 455 mijë e 700 euro, kurse loti 9 për pluhurin për injeksion gemcitabine ka arritur vlerën prej 335 mijë e 172 eurosh. Po ashtu, janë siguruar 187,795 euro për lotin 4 që përfshin pluhurin për tretësirë për infuzion trastuzumab.
Marrëveshja përfshin edhe 121 mijë e 800 euro për lotin 12, që siguron medikamentin pemetrexed për trajtimin e kancerit të mushkërive, si dhe 109 mijë e 24 euro e 11 centë për lotin 8 që garanton sorafenib për pacientët me kancer të mëlçisë apo tiroideve. Për trajtimin e llojeve specifike të kancerit të gjakut dhe tumoreve të rralla me imatinib, përmes lotit 10 janë ndarë 60,102 euro.
Pjesë e kontratave janë bërë edhe barërat për nevoja të tjera klinike, ku për lotin 5 janë ndarë 39 mijë e 973 euro e 26 centë për midazolam, medikament ky thelbësor për sedacion dhe anestezi të përgjithshme. Ndërkaq, loti me vlerën më të ulët të kontraktuar është ai i 7-ti, ku janë ndarë 27 mijë e 529 euro e 40 centë për sunitinib, substancë që shërben për trajtimin e kancerit të veshkave dhe tumoreve të caktuara specifike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: