Kronikë
Dramë në minierën e Stan Tërgut: 64 minatorë të ngujuar, kërkohet ndërhyrje urgjente dhe hetim i Prokurorisë
Reklamë e Sponsorizuar
Situatë alarmante është raportuar në minierën e Stan Tërgut, ku 64 minatorë kanë mbetur të ngujuar nën tokë. Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka ngritur alarmin mbi këtë rast, duke kërkuar veprim të menjëhershëm për nxjerrjen e sigurt të punëtorëve.
Sipas të dhënave të siguruara nga terreni, minatorët gjenden të shpërndarë në horizontet 8, 9, 10 dhe 11, në një thellësi që arrin deri në 645 metra. IHDNj ka bërë thirrje që të gjitha strukturat përgjegjëse të mobilizohen maksimalisht, duke e vënë jetën dhe shëndetin e minatorëve në krye të prioriteteve.
“Çdo minutë është vendimtare. Operacioni i shpëtimit duhet të karakterizohet nga urgjenca, profesionalizmi i lartë dhe koordinimi i plotë mes ekipeve në terren”, thuhet në deklaratën e këtij instituti. Aktualisht, bëhet e ditur se dalja e punëtorëve po tentohet të realizohet përmes rrugëve emergjente, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë pandërprerë për të siguruar nxjerrjen e tyre pa pasoja.
Krahas përpjekjeve për shpëtim, IHDNj ka kërkuar zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan deri te ky incident. Instituti ka shtruar nevojën për të verifikuar nëse pajisjet teknike dhe procedurat e sigurisë në punë kanë qenë në përputhje me standardet e kërkuara.
Në këtë drejtim, IHDNj i është drejtuar Prokurorisë kompetente me kërkesën për nisjen e një hetimi të pavarur dhe gjithëpërfshirës. Qëllimi është që të sqarohen rrethanat e këtij rasti dhe të përcaktohet nëse ka pasur neglizhencë në zbatimin e protokolleve të sigurisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: