Sport
Harry Kane synon rekordin historik të Cristiano Ronaldos: “Kush e di se sa larg mund të shkoj”
Reklamë e Sponsorizuar
Harry Kane po vazhdon të lërë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombëtares së Anglisë dhe, pas një tjetër paraqitjeje mbresëlënëse, ka lënë të kuptohet se në të ardhmen mund të vërë në shënjestër rekordin e jashtëzakonshëm të Cristiano Ronaldos për golat e shënuar me përfaqësuesen.
Sulmuesi kryesor i "Tre Luanëve" realizoi dy herë në triumfin 3-0 kundër Çekisë, duke e çuar në 91 shifrën e golave me fanellën e vendit të tij, ndërkohë që barazoi edhe rekordin historik të Peter Shiltonit me 125 paraqitje zyrtare për Anglinë.
I njohur tashmë si golashënuesi më i mirë në histori të kombëtares angleze, Kane nuk po mendon aspak për tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar. Gjatë deklaratave të tij, ai pranoi hapur se rekordi i Ronaldos mbetet një sfidë që mund të merret në konsideratë, nëse vijon të ruajë këto standarde të larta loje.
“Do të shohim sa larg mund të shkoj. Aktualisht jemi te 50 e ca gola larg dhe është një rrugë shumë e gjatë, por kush e di? Jam në formë të shkëlqyer”, u shpreh kapiteni anglez.
Nga ana e tij, Cristiano Ronaldo, 41 vjeç, vazhdon të mbretërojë në krye të listës së golashënuesve ndërkombëtarë në histori të futbollit, me gjithsej 146 gola të realizuar për Portugalinë.
Sa i përket të ardhmes së tij, Kane ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të përcaktojë ndonjë afat kohor për largimin nga skuadra kombëtare.
“Kam thënë edhe më parë se disa prej lojtarëve me të cilët kam luajtur kanë vazhduar deri në fund të të 30-ave dhe madje edhe në të 40-at, duke luajtur në nivelin më të lartë. Për mua është sezon pas sezoni. Për sa kohë që ndiej se mund ta ndihmoj ekipin, do të jem këtu”, shtoi ai.
Përballja me Çekinë mbartte një peshë të veçantë emocionale dhe statistikore për sulmuesin, i cili përveç barazimit të rekordit të Peter Shiltonit, kujtoi se debutoi në vitin 2015 duke shënuar vetëm 79 sekonda pasi kishte shkelur në fushë si zëvendësues.
Kjo paraqitje e jashtëzakonshme nuk i shpëtoi as trajnerit Thomas Tuchel, i cili e vlerësoi lart liderin e skuadrës.
“E pabesueshme. Ai e meriton këtë skenë dhe të gjitha këto vlerësime”, u shpreh tekniku.
Duke analizuar sekretin e jetëgjatësisë dhe suksesit të tij, Kane veçoi besimin e patundur te forcat e veta dhe etikën e hekurt të punës.
“Gjithmonë kam pasur shumë besim në vete. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të bëj ndoshta më shumë se të tjerët dhe ta shtyj veten përtej limiteve. Kam kombinuar talentin që kam me shumë punë, besim, përkushtim dhe disiplinë”, theksoi sulmuesi.
Pavarësisht karrierës së tij të stërmbushur me trofe e arritje dhe sezonit të shkëlqyer me Bayern Munichun, Kane mbetet i bindur se ka ende hapësira për t'u përmirësuar.
“Po vij nga sezoni im më i mirë ndonjëherë si futbollist dhe e kam nisur këtë sezon po aq mirë sa atë të kaluarin. Jam në një moment të mirë dhe tani për mua gjithçka ka të bëjë me ta shtyrë veten dhe të shoh se sa larg mund të arrij”, deklaroi ai.
Pas mbylljes së aventurës te Tottenham, ku u shndërrua në shënuesin më të mirë të të gjitha kohërave për klubin londinez, Kane ka vazhduar të thyejë rekorde edhe në elitën e futbollit gjerman. Me fanellën e Bayern Munichut, ai u shënua në histori si lojtari më i shpejtë që arrin shifrën e 100 golave në Bundesligë, duke e arritur këtë objektiv në vetëm 98 ndeshje.
“Unë nuk do të ndalem. Do të vazhdoj të shtyhem përpara dhe të shoh se ku do të më çojë kjo. Ndoshta pas rreth 10 vitesh do ta shohim se ku është tavani im”, përfundoi Kane.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: