Politikë
Kriza e Presidentit: Bekim Sejdiu tregon përfundimisht nëse do të garojë për kreun e shtetit
Reklamë e Sponsorizuar
Bekim Sejdiu ka thyer sërish heshtjen, pikërisht në ditën e fundit të afatit kushtetues, për të sqaruar pozicionin e tij rreth spekulimeve se emri i tij mund të jetë sërish në garë për President të Kosovës.
Në një adresim publik drejtuar qytetarëve, Sejdiu ka kujtuar se më 14 shtator kishte njoftuar zyrtarisht tërheqjen e tij nga ky proces. Sipas tij, ai vendim erdhi pasi u bë e pamundur arritja e një marrëveshjeje mes LDK-së dhe LVV-së, dy subjekteve që fillimisht kishin propozuar dhe mbështetur kandidaturën e jo, si dhe për shkak të qëndrimeve të opozitës dhe gjashtë deputetëve të LDK-së.
Pavarësisht tërheqjes së tij të mëparshme, emri i Sejdiut është rikthyer shpesh në tryezat e diskutimeve politike. Edhe më 30 shtator, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta konsiderojë atë si kandidat të saj, pavarësisht se ai kishte hequr dorë.
Megjithatë, Sejdiu ka qenë i prerë në qëndrimin e tij se nuk e shikon më veten si pjesë të këtij procesi aktual, duke përmendur mungesën e një konsensusi politik dhe të përkrahjes së mjaftueshme brenda Kuvendit të Kosovës. Ai ka bërë të ditur se për këtë vendim i ka njoftuar edhe krerët e LDK-së dhe kryeministrin Kurti.
Gjatë këtij reagimi, ai ka shprehur mirënjohjen e tij për kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për komunikimin korrekt dhe besimin e dhënë, ndërsa ka falënderuar gjithashtu politikanët e partive të tjera, kolegët, miqtë dhe personalitetet akademike për mbështetjen.
Sejdiu ka theksuar se motivi i tij i vetëm për ta pranuar këtë sfidë në fillim kishte qenë interesi i lartë i shtetit dhe dëshira për të kontribuar në tejkalimin e krizës institucionale, në këtë afat 60-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në mbyllje të reagimit të tij, i cili përkon pikërisht me datën 6 tetor si dita e fundit e afatit kushtetues, Sejdiu ka shprehur keqardhje të thellë për situatën e krijuar dhe ankthin që po kalojnë qytetarët, duke bërë thirrje për reflektim larg inateve të ngushta politike dhe interesave personale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: