Politikë
Bekim Sejdiu përsërit qëndrimin: S’jam në garë për president, i kam njoftuar krerët politikë
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-kandidati për kreun e shtetit, Bekim Sejdiu, ka bërë një tjetër reagim publik, pasi emri i tij u risoll në vëmendje gjatë një konference për media nga kryeministri Albin Kurti.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Sejdiu ka sqaruar pozicionin e tij aktual, duke bërë të ditur se aktorët politikë tashmë janë informuar se ai nuk është më pjesë e garës presidenciale.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, të dashur miq!
E konsideroj të domosdoshme të sqaroj qëndrimin tim, pas përmendjes së emrit tim si kandidat për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Më datë 14 shtator, unë kam njoftuar tërheqjen time nga procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, për shkak të pamundësisë së realizimit të marrëveshjes LDK-LVV, dy partitë që më kanë propozuar dhe mbështetur në këtë proces. Kjo për shkak të qëndrimit të dy partive të tjera opozitare dhe 6 deputetëve të LDK-së.
Siç e kam theksuar kur e kam pranuar kandidaturën për postin e Presidentit e vetmja arsye dhe i vetmi motiv që më ka nxitur të marrë përsipër këtë barrë, ka qenë interesi i vendit dhe përpjekja për të ndihmuar në daljen nga kriza.
Së fundi, emri im është përfshirë përsëri në diskutimet për gjetjen e një kandidati për President të vendit.
Dëshiroj që më sinqeritetin më të madh të falënderoj ata liderë politik që kanë vazhduar të besojnë se unë jam kandidat i denjë për pozitën e kreut të shtetit, sidomos në një situatë të ndjeshme si periudha nëpër të cilën po kalojmë.
Ditëve të fundit kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me krerët e LDK-së, duke qenë se fillimisht kam qenë i ftuar nga kjo parti, kur më është ofruar posti i Presidentit (në fillim të shtatorit).
Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe Kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj vetën pjesë të procesit të zgjedhjes së Presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend.
Kryeministrin Kurti dhe Kryetarin Abdixhiku i kam falënderuar për besimin ndaj meje dhe korrektësinë në komunikimin më mua. Dëshiroj që këtë falënderim ta përsëris edhe në këtë rast. Poashtu, e vlerësoj konsideratën personale të shprehur ndaj meje nga shumë politikanë të partive të tjera.
Shprehë mirënjohjen më të sinqertë për të gjithë kolegët, miqtë dhe shumë personalitete nga jeta akademike dhe përtej saj, që më kanë shprehur mbështetjen e tyre.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: