Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Ekspertiza psikiatrike zbardh gjendjen e të akuzuarit për vrasjen e kushëririt në Skenderaj

Redaksia Lajmetereja • 06-10-2026 16:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Ekspertiza psikiatrike zbardh gjendjen e të akuzuarit për vrasjen e kushëririt në Skenderaj
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vijuar procesin gjyqësor ndaj Hisni dhe Bujar Ibishit, të cilët akuzohen për vrasjen e kushëririt të tyre, Ismet Ibishit. Ngjarja tragjike kishte ndodhur më 12 shkurt 2025 brenda një kafeterie të vendosur në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj. Gjatë seancës së fundit gjyqësore, vëmendja është përqendruar te paraqitja e ekspertizës psikiatrike për të pandehurin Hisni Ibishi. Psikiatri Shpend Haxhibeqiri ka deklaruar para trupit gjykues se, mbështetur në analizat e detajuara, i pandehuri gëzon shëndet të plotë mendor dhe nuk shfaq asnjë lloj ngecjeje intelektuale apo probleme psikiatrike. “Po e kemi pasur dosjen komplet të shkresave të lëndës. Siç e kemi cekur në faqen gjashtë, paragrafin e fundit, i njëjti nuk ka probleme të sferës psikiatrike apo të ngecjes mendore ose intelektuale. Kjo vjen për shkak se i njëjti ka krijuar shkollë, familje, ka punuar, vepruar, ka hapur biznesin e tij, ku kanë treguar se i njëjti nuk mund t’i ketë problemet psikiatrike dhe ka funksionuar pa problem. Sa i përket tronditjes mendore, bazuar në shkresat e lëndës, video-incizimin i cili gjendet në dosje dhe ekzaminimin e drejtpërdrejtë klinik dhe hospitalor, kemi ardhur në konstatim se i njëjti nuk ka pasur tronditje mendore”, ka theksuar Haxhibeqiri. Eksperti ka shtuar më tej se as në datën e krimit, aftësia e të akuzuarit për të kuptuar veprën, për të gjykuar dhe për të kontrolluar veprimet apo pasojat e tyre nuk ka qenë aspak e cënuar. “Sa i përket ditës kritike, aftësia për të gjykuar për veprën dhe aftësia për kontrollimin e veprimeve dhe pasojën e veprimeve apo mosveprimeve të veta nuk ka qenë e afektuar, pra nuk ka qenë e ndikuar”, u shpreh ai. Në vijim të procedurës, gjykata ka miratuar gjithashtu kërkesën e avokatit Naim Rudari që t'i nënshtrohet një ekspertize psikiatrike edhe i pandehuri tjetër, Bujar Ibishi. Në një seancë të mëparshme të mbajtur më 19 maj 2026, dëshmitari Safet Ismajli kishte treguar para gjykatës se kishte qëndruar në lokal dhjetë deri në pesëmbëdhjetë minuta para se aty të futej Hisni Ibishi, duke dhënë edhe dëshminë e tij rreth rrjedhës së ngjarjes. Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria, Hisni dhe Bujar Ibishi dyshohen se më 12 shkurt 2025, në një lokal në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, “të vetëdijshëm për veprimet e tyre dhe me dashje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Ismet Ibishi, ashtu që derisa viktima ishte duke pirë kafe në lokal, të pandehurit posa hyjnë në lokal i nxjerrin armët dhe shtinë në drejtim të viktimës Ismet Ibishi, ku goditjet rezultojnë vdekjeprurëse”. Seanca e ardhshme e këtij procesi gjyqësor është caktuar të mbahet më 3 nëntor, duke filluar nga ora 13:30.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar