Politikë
Haradinaj lëshon akuza të rënda ndaj Kurtit: Po tenton të shkatërrojë shtetin e Kosovës
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për zhvillimet e fundit politike dhe qasjen e tij ndaj ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Gjatë deklarimeve të tij, Haradinaj u shpreh se kreu i ekzekutivit po vepron me qëllim që “ta zhbëjë Kosovën”, ndërsa e etiketoi atë hapur si “keqbërës patologjik”.
“Po do me ia dhanë edhe një goditje Kosovës. Ky po punon me e zhbë Kosovën. Të tillë çfarë e kemi dhe e kemi mrri me shumë mund, e me vuajtje të madhe. Nuk ka me ia arritë. Kosova është më e madhe se ky keqbërës patologjik, i cili kthehet në vazhdimësi në veprat e tij të këqija për vendin”, u shpreh Haradinaj.
Ai theksoi gjithashtu se subjekti që ai drejton ka treguar gjithmonë kujdes dhe gatishmëri për bashkëpunim, duke shtuar se ngjarjet e fundit janë absolutisht të papranueshme për të kaluarën historike dhe për të gjithë qytetarët që e duan vendin.
Duke iu referuar projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, deputeti i AAK-së kujtoi se ky akt ligjor ka kaluar tashmë fazën e leximit të parë me mbështetjen e 91 ligjvënësve.
“91 deputetë të Kuvendit të Kosovës e kanë votu në lexim të parë ligjin. Tani, ky ligj është i të gjithëve”, shtoi ai.
Sipas tij, tentativat për ta lidhur këtë nismë ligjore me kalkulime dhe pazare të ngushta politike përbëjnë fyerje të rëndë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në proces gjyqësor në Hagë.
“Është tepër ofenduese me bë pazare e me mundu me zë njëri-tjetrin në faj me Ligjin për UÇK-në. Ky ligj është për UÇK-në”, deklaroi ai.
Në fund, Haradinaj solli në vëmendje edhe rastin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq në Serbi, duke e vënë theksin te kontrastet mes mënyrës se si Beogradi mbron figurat e tij dhe heshtjes apo kushtëzimeve që, sipas tij, po shfaqen në Kosovë.
“E patë në Serbi, Serbia nderoi Ratko Mlladiqin e që është i dënum me verdikt final për gjenocid. Ne fshehemi skutave dhe nxjerrim kushte për të ndihmu një ligj për të drejtën tonë”, përfundoi Haradinaj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: