Politikë
Zgjedhja e presidentit, Kurti: Vetëvendosje mblidhet për hapat e radhës pas thirrjes drejtuar opozitës
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë një mbledhje të brendshme për të vendosur nëse dita e sotme do të jetë momenti i duhur për mbajtjen e seancës për votimin e presidentit të vendit.
Ndërkohë që afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit po ngushtohet ndjeshëm, gjatë një konference për media, kryeministri Kurti i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që të konfirmojë pjesëmarrjen e saj në seancë. Ai gjithashtu bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për shqyrtimin dhe votimin në lexim të dytë të ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ne do të mbajmë edhe një mbledhje në subjektin tonë, do të shohim se çka është më së miri të bëjmë. Nuk besoj se duhet të flas unë, duhet të flasin të tjerët, a janë njëmend të vendosur që Kosovën të mos e lënë pa president, rendi logjik i hapave është që tash të kemi një përgjigje për këtë ofertën shtesë”, u shpreh Kurti.
I pyetur lidhur me protestën e zhvilluar mbrëmë, ku u përdorën mjete piroteknike dhe gaz lotsjellës, shefi i ekzekutivit theksoi se disa raste janë përcjellë tashmë në Inspektoratin Policor për të shqyrtuar nëse ka pasur tejkalim të autorizimeve nga ana e zyrtarëve policorë ndaj protestuesve.
“Unë deri pasmesnate kam qenë në Kuvend, asnjëherë nuk kam qenë diku tjetër. Nuk i di hollësitë e protestave. Nuk e di se cili është momenti kur policia ndërhyri, por e di që tashmë janë dërguar disa raste në inspektoratin policor për të parë nëse ka pasur ndonjë sjellje të tepruar të ndonjë polici”, shtoi ai.
Kurti konfirmoi gjithashtu se nuk ka pasur komunikim të fundit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku. Ai theksoi se LDK i “debiton” Lëvizjes Vetëvendosje gjashtë deputetë sa i përket procesit të zgjedhjes së presidentit.
“Nuk kemi komunikuar me kryetarin e LDK-së, tash ai është e vërtetë që ka kryer punën, mirëpo kur ai ka negociuar me mua, ai ka negociuar në emër të 18 deputetëve, marrëveshje u bë në emër të tyre, dhe mandej ky 18 ra në 12 dhe na pamundësoi zgjedhjen e Bekim Sejdiut. Çdo situatë e ngjashme duhet të sigurohet që LDK, LVV ia ka borxh gjashtë deputetë. Unë do komunikoj përsëri me të”, u shpreh kreu i qeverisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: