Aktuale
Paul Scholes pranon fajin: Rikthimi im shtyu Paul Pogban drejt largimit nga United
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-mesfushori ikonik i Manchester United, Paul Scholes, ka hapur zemrën rreth largimit të bujshëm të Paul Pogbas nga klubi në vitin 2012, duke marrë mbi vete një pjesë të përgjegjësisë për këtë epilog.
Kjo deklaratë erdhi gjatë një paraqitjeje në podcastin “The Good, The Bad & The Football”, ku u diskutua pasi kampioni i dartsit, Luke Littler, e kishte përfshirë francezin në formacionin e tij historik të “Djajve të Kuq”.
Në kohën kur Pogba po kopmonte portën e skuadrës së parë, Scholes kishte vendosur të tërhiqej nga futbolli në moshën 36-vjeçare, por u rikthye sërish në aksion gjatë edicionit 2011/12 për shkak të emergjencave në ekip.
“U tërhoqa kur isha 36 vjeç dhe u riktheva pikërisht kur Paul po fillonte të merrte hov. Besoj se ai priste hapësira, sidomos kur në janar mbetëm pa mesfushorë dhe detyroheshim të aktivizonim lojtarë si Rafael da Silva apo Phil Jones në mesfushë”, u shpreh Scholes.
Sipas britanikut, talenti francez ndjente se meritonte më shumë hapësirë, mirëpo vendimi i Scholes për t'u rikthyer në fushë ia ngushtoi ndjeshëm mundësinë e aktivizimit.
“U ktheva dhe nisa të luaja rregullisht çdo javë. Menaxheri i tij refuzoi disa propozime për vazhdimin e kontratës dhe mendoj se ky ishte shkaku i largimit të tij. Ndaj, e ndiej veten pjesërisht fajtor”, pranoi ish-futbollisti anglez.
Pogba përfundimisht u largua nga “Old Trafford” si agjent i lirë në verën e vitit 2012 për të nisur një aventurë të re te gjiganti italian, Juventus.
Megjithatë, lidhja e tij me klubin anglez nuk u mbyll aty, pasi katër vite më vonë ai u rikthye bujshëm te Manchester United për shifrën e majme prej 89 milionë funtesh.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: