Politikë
Hamza zbulon prapaskenat e takimit me Abdixhikun: Vlerat e UÇK-së shtrihen në çdo forcë politike
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka ndarë detaje nga takimi i zhvilluar së fundmi me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Gjatë prononcimit për media, Hamza tregoi se gjatë këtij bashkëbisedimi ka kërkuar mbështetjen e LDK-së për Projektligjin për Gjykatën Speciale në Kuvend, ndërkohë që vuri në dukje se kjo parti nuk mori pjesë në votimin e tij gjatë leximit të parë.
“Kemi diskutuar mbi domosdoshmërinë e këtij ligji, rëndësinë e mbikëqyrjes, transparencës dhe llogaridhënies, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut e të konventave ndërkombëtare në këtë fushë, duke i kërkuar njëkohësisht përkrahjen. Megjithatë, ditën e djeshme pamë se LDK-ja vendosi të mos merrte pjesë në votimin e këtij projektligji”, u deklarua ai.
Në këtë kontekst, kreu i PDK-së theksoi se trashëgimia dhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë prezentë në të gjitha subjektet politike, ndërsa shtoi se nisma ligjore në fjalë reflekton vlera të përbashkëta shoqërore e partiake.
“Megjithatë, unë i njoh mirë njerëzit dhe kemi shumë miq brenda LDK-së. Theksoj sërish se populli i Kosovës u organizua për liri dhe pavarësi përmes luftës së UÇK-së, ndërsa veteranë dhe pjesëtarë të saj gjenden në çdo subjekt politik – qoftë në PDK, në Aleancë, në Vetëvendosje apo edhe në LDK. Ky ligj mbron vlera që i përkasin secilës forcë politike në vend”, përfundoi Hamza.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: