Kronikë
Përplasjet në kryeqytet, Rama i kërkon Qeverisë llogari: Mos e përdorni Policinë kundër qytetarëve
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dalë me një reagim të ashpër pas incidenteve dhe përplasjeve të ndodhura ndërmjet Policisë së Kosovës dhe qytetarëve protestues në kryeqytet, duke drejtuar akuza ndaj ekzekutivit dhe kryeministrit Albin Kurti për mënyrën se a u menaxhua kjo situatë.
“Sheshi është i njëjti. Qytetarët po ashtu. Vetëm juve ju ka shpërfaq pushteti”, ka theksuar Rama në deklaratën e tij publike.
Sipas kreut të Prishtinës, në mesin e tubimit protestues ndodheshin veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fëmijë të tyre, si dhe qytetarë të thjeshtë që kërkonin të drejtat e tyre.
Duke i quajtur tejet shqetësuese dhe të dhimbshme skenat me persona të lënduar, Rama ka kërkuar llogaridhënie dhe sqarime institucionale mbi ndërhyrjen e forcave të rendit.
“Pakënaqësia qytetare kërkon përgjigje politike. Gazi lotsjellës nuk e zëvendëson atë”, u shpreh ndër të tjera ai.
I pari i kryeqytetit i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Kurti, duke ia sjellë ndërmend qëndrimet e tij të kaluara lidhur me protestat dhe hapësirat publike, teksa i ka bërë apel Qeverisë që të mos e shfrytëzojë Policinë si instrument për të mbuluar, sipas tij, dështimet në rrafshin politik.
“Mos e urdhëroni Policinë kundër popullit”, përfundoi Rama reagimin e tij.
Kujtojmë se gjatë protestës së zhvilluar më 5 tetor pati tensione, përleshje fizike dhe përdorim të gazit lotsjellës. Nga ana e saj, Policia njoftoi se ndërhyrja u bë pas hedhjes së mjeteve piroteknike dhe sendeve të forta nga pjesëmarësit, ndërkohë që shërbimi i urgjencës konfirmoi se 12 persona kërkuan ndihmë mjekësore, prej të cilëve 11 ishin protestues dhe njëri prej tyre pjesëtar i Policisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: