Sport
Zhurma rreth “Topit të Artë”: Kylian Mbappe përgjigjet me ironi ndaj pretendimeve për Real Madridin
Reklamë e Sponsorizuar
Vala e polemikave rreth sulmuesit francez Kylian Mbappe dhe lidhjes së tij me skuadrën e Real Madridit vijon të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit sportiv në Spanjë.
Së fundmi, pretendime të reja janë hedhur nga gazetari i njohur Javier Tinto, i cili ka sjellë në vëmendje një prapaskenë të pretenduar lidhur me garën për çmimin prestigjioz individual, “Topin e Artë”.
Sipas gazetarit, gjatë javës kur u zhvillua derbi, Mbappe thuhet se i ka kërkuar drejtuesve të Real Madridit që të angazhoheshin publikisht në një fushatë mbështetjeje për kandidaturën e tij.
“Ajo që më kanë thënë është se, gjatë javës së derbit, Mbappe i kërkoi Real Madridit të përfshihej dhe të bënte fushatë për të në garën për ‘Topin e Artë’”, ka deklaruar Tinto, duke shtuar se kërkesa e tij nuk u miratua nga klubi.
Duke iu referuar ndeshjes kundër Atletico Madridit, të cilën “Los Blancos” e humbën në një paraqitje të zbehtë, gazetari ka vënë në dukje se ky tension mund të ketë ndikuar edhe në fushën e lojës, duke përmendur mbetjen e skuadrës me 10 lojtarë dhe pakënaqësinë e dukshme të lojtarit.
Po ashtu, sipas pretendimeve të bëra publike, ylli francez mësohet se i është drejtuar edhe legjendës Zinedine Zidane për t'i kërkuar ndihmë në këtë drejtim, kërkesë e cila sipas Tintos nuk u realizua për shkak se Ousmane Dembele është gjithashtu në garë për të njëjtin çmim.
Në lidhje me këto aludime, sulmuesi nuk ka heshtur, por ka zgjedhur një formë thumbuese për t'u kundërpërgjigjur. Ai ka komentuar me ironi në profilin zyrtar të emisionit në rrjetin social Instagram, duke hedhur poshtë zërat me një batutë.
“Po, mirë, po, dhe unë u grinda edhe me tezen time të madhe”, ka shkruar Mbappe, duke shkaktuar reagime të shumta në rrjet, ndërkohë që mbetet për t'u parë nëse këto deklarata do të prodhojnë zhvillime të reja nga kampi madrilen.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: