Aktuale
Sulme me molotov ndaj pronave të Ramiz Kelmendit në Pejë, biznesmeni flet për detajet
Reklamë e Sponsorizuar
Pronat e njohura të biznesmenit Ramiz Kelmendi në qytetin e Pejës kanë qenë cak i sulmeve gjatë orëve të mëngjesit të së hënës, ku janë përdorur mjete ndezëse, të dyshuara si kokteje molotov. Fatmirësisht, përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për ndonjë person të lënduar, ndërkohë që organet e rendit dhe drejtësisë kanë mobilizuar ekipet e tyre për të zbardhur ngjarjen dhe kapur autorët.
Incidenti i parë u regjistrua rreth orës 04:50 në fshatin Zahaq të Pejës. Dëshmitarët në vendngjarje bënë të ditur se mjetet ndezëse u hodhën nga një automjet në lëvizje e sipër, drejtuesit e të cilit u larguan menjëherë në drejtim të panjohur pas kryerjes së aktit.
Vetëm pak orë më vonë, rreth orës 08:55, u shënua një tjetër sulm i ngjashëm. Kësaj radhe, shënjestër ishte oborri i një banese private në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku gjithashtu u hodhën mjete piroteknike apo ndezëse me qëllim shkaktimin e dëmeve.
I kontaktuar lidhur me këto ngjarje, biznesmeni i njohur Ramiz Kelmendi ka konfirmuar se aktet vandale janë kryer në drejtim të njërës prej kompanive të tij dhe pronës së tij private.
“Po, sulmi ka ndodhur në drejtim të një nga bizneseve të mia dhe në drejtim të shtëpisë. Sulmi ka shkaktuar vetëm dëme, nuk ka persona të lënduar”, deklaroi Kelmendi.
Sipas tij, ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ndërsa personeli i sigurimit fizik ka qenë ai që ka vënë re situatën e pazakontë dhe ka alarmuar menjëherë autoritetet policore.
“Institucioni i sigurisë është duke e hetuar rastin dhe presim nga ta që të kryejnë me profesionalitet. Unë nuk kam dyshim se kush kanë qenë sulmuesit. Sulmi ka ndodhur natën. Sigurimi i objektit e ka vërejtur dhe e kanë lajmëruar policinë. Sulmi ka ndodhur me Molotov”, shtoi më tej ai.
Nga ana e tyre, zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë dalë me një nomim zyrtar ku kanë konfirmuar dy rastet e ndodhura gjatë ditës.
“Sot, rreth orës 04:50, Policia është njoftuar për një rast i cili ka ndodhur në fshatin Zahaq të Pejës. Sipas dëshmitarit, nga një veturë në lëvizje janë hedhur mjete ndezëse (Molotov), pas së cilës personat e dyshuar janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në kumtesën e policisë.
Lidhur me rastin e dytë, policia shtoi se ai është raportuar në mëngjes në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku në oborrin e shtëpisë private u hodhën po ashtu mjete të dyshimta ndezëse.
Të gjitha njësitet relevante policore kanë dalë menjëherë në terren për të kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa në hetime është përfshirë edhe Prokuroria Themelore.
Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe procedurale me qëllim të identifikimit dhe vënies para drejtësisë të personave përgjegjës.
“Policia e Kosovës me të gjitha njësitet relevante ka dalë në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i Shtetit. Janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e personave që kanë kryer këtë vepër penale. Janë duke u zhvilluar hetime intensive për këtë çështje penale”, u shpreh Nikçi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: