Sport
Botërori i Xhudos: Dardan Cena triumfon në start, Akil Gjakova ndalet nga kampioni olimpik
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesit e Kosovës në Kampionatin Botëror të xhudos kanë regjistruar rezultate të ndryshme në ditën e parë të paraqitjeve të tyre në Baku të Azerbajxhanit, ku Dardan Cena ka hapur rrugën drejt suksesit, ndërsa Akil Gjakova është eliminuar që në duelin e parë.
Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Dardan Cena e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij në këtë ngjarje të madhe sportive. Xhudisti kosovar arriti të mposht irlandezin Joshua Green me anë të një pike uazari, duke siguruar kështu biletën për në raundin tjetër. Megjithatë, sfida e radhës do të jetë një provë e vërtetë për të, pasi në rrugën e tij do të dalë legjenda e xhudos nga Gjeorgjia, Lasha Shavdatuashvili.
Në krahun tjetër, fati nuk ka qenë në anën e Akil Gjakovës, i cili pati një short tejet të vështirë në të njëjtën kategori, duke u përballur që në sfidën e parë me kampionin olimpik, Hidayat Heydarov.
Gjakova e menaxhoi mjaft mirë fillimin e duelit, duke e kontrolluar ritmin dhe duke mos i lënë hapësirë vendasit në minutat e para. Mirëpo, një pavëmendje e vogël solli kthesën e madhe në ndeshje, duke i dhënë epërsinë kundërshtarit.
Azerbajxhanasi Heydarov përfitoi menjëherë nga ky moment dhe me një aksion vendimtar arriti të triumfojë me Ippon, duke i dhënë fund parakohshëm rrugëtimit të Gjakovës në këtë kampionat.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: