Politikë
Kriza financiare në Prishtinë: 380 punonjës të Ndërmarrjes Publike Banesore protestojnë për pagat e prapambetura
Reklamë e Sponsorizuar
Për shkak të mosmarrjes së pagave për dy muaj nga themeluesi i saj, Kuvendi Komunal i Prishtinës, rreth 380 punonjës të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) kanë dalë në një protestë paqësore para ndërtesës së komunës.
Të revoltuar nga kjo situatë, protestuesit kanë theksuar se durimit të tyre i ka ardhur fundi dhe se ky tubim është shpresa e tyre e fundit për të ndërgjegjësuar institucionet komunale lidhur me gjendjen e rëndë socio-ekonomike në të cilën po kalojnë.
“Për institucionet paga mund të jetë thjesht administrative, por për ne kjo pagë është buka e familjes dhe siguria jonë e përditshme. Nuk po kërkojmë mëshirë apo lëmoshë, po kërkojmë vetëm të drejtën tonë elementare, marrjen e pagës mujore që e kemi fituar me djersën tonë. Është e dhimbshme që punëtori të detyrohet të dalë në protestë për të kërkuar të drejtën e tij,” u shpreh Xhevat Prebreza, anëtar i këshillit organizativ të protestës.
Sipas punonjësve, nëse ky bllokim vazhdon, ata do të detyrohen të ndërpresin ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe klientët e ndërmarrjes.
“Ne po kërkojmë atë që e kemi fituar me punë dhe nuk do të ndalemi me kaq. Gjithashtu, i njoftojmë qytetarët se përderisa të vazhdojë kjo gjendje e mosmarrjes së pagave, me keqardhje do të ndërpriten të gjitha shërbimet tona,” paralajmëroi tutje Prebreza.
Protesta është mbyllur e qetë, ndërsa stafi i NPB-së mbetet me shpresë se zyrtarët komunalë do të reflektojnë dhe do t'i thërrasin në takime gjatë ditëve në vijim për të arritur një zgjidhje përfundimtare të këtij ngërçi financiar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: