Politikë
Protesta në shesh, Arian Tahiri i bën thirrje Kurtit dhe Vetëvendosjes të kthehen në Kuvend për votimin e ligjit
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, së bashku me Altin Krasniqin – djalin e ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-krerëve të UÇK-së, Jakup Krasniqi – janë bashkuar me qytetarët në shesh për të mbështetur kërkesën për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Duke folur para mediave, Tahiri ka hedhur poshtë përdorimin e gazit lotsjellës dhe dhunës ndaj protestuesve, të cilët, sipas tij, po shprehin vullnetin e tyre në mënyrë të qetë dhe dinjitoze, duke brohoritur thirrje për UÇK-në dhe duke kërkuar miratimin e këtij projektligji.
“Është e papranueshme të përdoret gazi lotsjellës dhe të ushtrohet dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët me shumë dinjitet e krenari brohoritin ‘UÇK, UÇK’ dhe kërkojnë që të votohet ligji. Kjo është një kërkesë shumë e arsyeshme, e domosdoshme dhe e nevojshme në këtë kohë”, u shpreh deputeti.
Sipas Tahirit, prania e tij dhe e Altin Krasniqit në shesh dallon nga angazhimi i kolegëve të tjerë të PDK-së, të cilët kanë mbetur brenda ndërtesës së Kuvendit, duke respektuar kështu kërkesën e qytetarëve që ligji të miratohet sa më parë.
“Jam bashkë me Altinin, kolegun tim. Kolegët e tjerë janë në Kuvendin e Kosovës, sepse kërkesa e qytetarëve të Kosovës ka qenë që deputetët të qëndrojnë në Kuvend sot dhe ta miratojnë ligjin në tërësi”, sqaroi ai.
Duke rikujtuar se akti normativ ka kaluar tashmë leximin e parë, Tahiri ka kërkuar që të procedohet menjëherë edhe me leximin e dytë.
“Kërkesa jonë ka qenë që të votohet edhe në leximin e dytë. E propozuam mocionin, por nuk gjeti mbështetje. Kanë mbetur vetëm edhe disa orë dhe krejt ajo që po kërkojmë është që Vetëvendosja dhe Albin Kurti të kthehen në Kuvend dhe ta votojnë ligjin”, deklaroi ndër të tjera ai.
Në vijim, zyrtari i PDK-së ka nënvizuar se ky proces legjislativ nuk duhet të ndërlidhet kurrsesi me çështjen e zgjedhjes së shefit të shtetit.
“Ligji është obligim kombëtar i të gjithë neve, është obligim institucional dhe duhet sa më shpejt të kthehemi në Kuvend, ku do të qëndrojmë, dhe ta votojnë ligjin”, u shpreh ai, duke shtuar se posti i presidentit nuk mund të shërbejë si mjet për pazare politike.
Në fund të prononcimit të tij, Tahiri bëri thirrje për arritjen e një konsensusi të gjerë politik rreth çështjes së presidentit, por riafirmoi se prioritet absolut mbetet miratimi i ligjit në fjalë.
“Është shumë e dobishme që në këto rrethana të gjendet konsensusi dhe të arrihet marrëveshja për zgjedhjen e presidentit. Mirëpo, e rëndësishme është që ligji të votohet”, përmbylli ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: