Politikë
Presioni ndaj maturantëve për protesta, reagon ashpër Ministria e Arsimit
Reklamë e Sponsorizuar
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka lëshuar një njoftim zyrtar pasi ka siguruar të dhëna dhe dëshmi se në grupe të ndryshme të prindërve në rrjetet sociale janë shpërndarë mesazhe për pjesëmarrje të detyrueshme të maturantëve në protestën e thirrur për sot, më 05.10.2026, në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ruajtjes së vlerave të saj.
Në reagimin zyrtar, dikasteri i arsimit thekson se asnjë nxënës nuk guxon të përballet me kushtëzime, detyrime apo çfarëdo lloj presioni për t'u bërë pjesë e tubimeve publike apo protestave.
“Duke qenë se bëhet fjalë për nxënës, shumica e të cilëve janë nën moshën 18-vjeçare, institucionet arsimore kanë përgjegjësi të veçantë për mbrojtjen e tyre, respektimin e të drejtave të tyre dhe garantimin e zhvillimit të rregullt të procesit mësimor”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e ministrisë.
Sipas këtij institucioni, orari i rregullt mësimor është i pacenueshëm dhe nxënësit nuk duhet të mobilizohen apo të braktisin mësimet për çfarëdo arsyeqoftë.
Me anë të këtij apelimi, ministria u është drejtuar drejtorive komunale të arsimit dhe shkollave anembanë vendit që të angazhohen për zbatimin rigoroz të këtyre rregullave.
“Inspektorati Qendror i Arsimit, në kuadër të kompetencave të tij ligjore, do të monitorojë zbatimin e këtyre kërkesave dhe do të trajtojë çdo informacion apo ankesë lidhur me detyrimin, presionin ndaj nxënësve apo pengimin e zhvillimit të rregullt të procesit mësimor”, përmbyllet reagimi i ministrisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: