Politikë
Ritmi galopant i armatosjes së Serbisë alarmon fqinjët dhe rikthen frikën në Ballkanin Perëndimor
Reklamë e Sponsorizuar
Gjendja e sigurisë në Ballkanin Perëndimor po përballet sërish me tensione dhe pikëpyetje, ndërsa ritmi i shpejtë i armatosjes së Serbisë po nxit shqetësim të thellë në mbarë rajonin. Beogradi zyrtar po vijon investimet masive për blerjen e avionëve luftarakë, dronëve, sistemeve moderne të raketa-mbajtësve dhe armatimeve të sofistikuara, duke zgjeruar ndjeshëm potencialin e tij ushtarak.
Megjithatë, ky proces po shihet nga ekspertët dhe vendet fqinje shumë më gjerë sesa një rifreskim i zakonshëm i forcave të armatosura. Shtohen gjithnjë e më shumë dyshimet mbi qëllimet e vërteta të këtij zgjerimi të arsenalit dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që ai mund të ketë në ekuilibrin delikat të paqes dhe sigurisë në Evropën Juglindore.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka bërë të ditur se Zagrebi po e përcjell me vëmendje maksimale atë që e ka quajtur një proces të pazakontë dhe intensiv të armatosjes së Serbisë, duke e shoqëruar situatën edhe me termin “shopping mani”.
Në të njëjtën linjë, ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, ka theksuar se Serbia tash e një dekadë po pajset vazhdimisht me sisteme të avancuara sulmuese. Ai ka bërë të qartë se Kroacia është plotësisht e ndërgjegjësuar për këto lëvizje dhe po i monitoron ato nga afër, ndërkohë që frika dhe pasiguria ndihen fuqishëm edhe në Kosovë.
Specialistët e fushës së sigurisë vlerësojnë se ky forcim i pandërprerë ushtarak i Serbisë përbën një rrezik direkt për sigurinë e Kosovës dhe një sfidë të hapur ndaj stabilitetit rajonal. Sipas tyre, Beogradi po përpiqet që këtë armatosje ta arsyetojë në mënyrë manipulative, duke e lidhur me paktin e përbashkët të mbrojtjes të lidhur mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në muajin mars të vitit të kaluar.
"Shqetësuese është që ajo kinse po do një formë të reciprocitetit pas marrëveshjes ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, si një arsyetim kinse po detyrohet të marrë masa mbrojtëse... Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, ndaj Bosnjës, Malit të Zi e edhe Maqedonisë," u shpreh eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.
Vëzhguesit sugjerojnë se rritja e kapaciteteve luftarake të Serbisë nuk mund të analizohet e shkëputur nga e kaluara e saj konfliktuale në Ballkan, ku ajo ka përfaqësuar gjithmonë faktorin kryesor destabilizues.
"Deklarata e fundit e ministrit kroat të mbrojtjes mendoj unë që ka qenë deklarata më e fuqishme si kundërpërgjigje direkte ndaj Serbisë dhe shqetësimeve që po i bën Serbia në rajon, për ta pasur primatin e armatimit kundër shteteve të rajonit, kinse ka ndonjë kërcënim, kur dihet fare mirë se nuk kërcohet nga askush në rajon," theksoi njohësi i sigurisë, Arben Dashevci.
Vlen të përmendet se vetëm pak muaj më parë, Serbia siguroi nga Kina armatime shtesë, përfshirë sisteme raketore dhe raketa balistike supersonike. Kjo blerje, sipas analizave strategjike të sigurisë, nuk paraqet thjesht modernizim, por shërben si një mesazh presioni ndaj fqinjëve dhe një tentativë e qartë për të prishur balancën ushtarake në Ballkanin Perëndimor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: