Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Forcimi i mbrojtjes: Gjermania nis projektin për ndërtimin e një baze të re detare

Redaksia Lajmetereja • 05-10-2026 17:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Forcimi i mbrojtjes: Gjermania nis projektin për ndërtimin e një baze të re detare
Gjermania ka ndërmarrë një hap konkret për fuqizimin e kapaciteteve të saj ushtarake, duke planifikuar ngritjen e një baze të re detare në qytetin e Emdenit, i vendosur në veriperëndim të shtetit gjerman. Ky vendim vjen si pasojë e tensionimit të situatës globale të sigurisë, një zhvillim ky që u bë i ditur nga vetë ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius. Duke folur gjatë një ceremonie sopeciale në Emden, ku personalitete të larta shtetërore hodhën firmën mbi një letër qëllimi për këtë projekt, Pistorius e cilësoi nismën si jetike. "Kjo është e rëndësishme për ne, sepse do të jetë një bazë e madhe detare", u shpreh ai. Ai gjithashtu vuri në dukje avantazhet gjeostrategjike të kësaj pike. "Prej këtu mund të arrijmë shpejt në Atlantikun e Veriut dhe Detin e Veriut. Vendndodhja strategjike është gjithashtu vendimtare, veçanërisht në lidhje me aleatët tanë të NATO-s, zonat tona të përbashkëta të trajnimit dhe operacioneve, si dhe aktivitetet e përbashkëta të trajnimit", theksoi ministri. Ky impiant ushtarak do të shërbejë si baza e pestë e madhe detare e vendit dhe synon të zvogëlojë fluksin dhe mbingarkesën e bazës ekzistuese në Wilhelmshaven, e cila deri më tani ka mbajtur peshën kryesore të operacioneve të marinës në Detin e Veriut. Përfaqësues nga dikasteri i mbrojtjes sqaruan se Wilhelmshaven do të vazhdojë të ruajë rolin e saj kyç, ndërsa kompleksi i ri në Emden do të funksionojë si një shtesë dhe lehtësim për të. Sipas Pistorius, zgjerimi i marinës gjermane është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj rreziqeve në rritje gjeopolitike dhe domosdoshmërisë për të përmbushur detyrimet ndaj Aleancës Atlantike për mbrojtjen dhe parandalimin. “Aktualisht kemi marinën më të vogël në historinë e Bundeswehr-it dhe në të njëjtën kohë grupin më të madh dhe më të gjerë të detyrave. Prandaj marina duhet të rritet dhe do të rritet”, deklaroi ai pa e fshehur shqetësimin për disbalancën aktuale. Ministri shtoi se në dritën e sfidave aktuale të sigurisë, sidomos në rajonet e Detit Baltik, Detit të Veriut dhe Atlantikut Verior, kjo masë merr peshë vendimtare, pasi forcon dukshëm mekanizmat parandalues të Berlinit dhe të vetë NATO-s. Vlera e këtij investimi madhor ushtarak parashikohet të kapë shifrën e disa miliardë eurove, mbështetur në të dhënat e bëra publike nga qarqet informative. Objektivi i autoriteteve është që baza e re të jetë plotësisht funksionale deri në vitin 2030, kohë kur ky lokacion pritet të akomodojë deri në 2,000 efektivë të forcave të armatosura dhe staf civil.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar