Sport
Tragjedi në Detin e Zi: Dy viktima dhe 11 të plagosur nga shpërthimi në anijen turke
Reklamë e Sponsorizuar
Një anije mallrash që po transportonte ngarkesë me misër është përfshirë nga flakët në ujërat ndërkombëtare të Detit të Zi, pranë kufijve detarë të Rumanisë, ngjarje kjo që ka lënë të vdekur dy persona dhe ka plagosur 11 të tjerë.
Sipas informacioneve të siguruara nga autoritetet rumune, viktimat dhe të plagosurit janë anëtarë të ekuipazhit të anijes “Royad Mammadov”, e cila lundron nën flamurin e Turqisë.
Edhe pse burimet lokale sugjerojnë se tragjedia mund të jetë shkaktuar nga goditja e një ose dy dronëve, organet zyrtare rumune nuk e kanë konfirmuar ende përfundimisht këtë version si shkak të shpërthimit dhe zjarrit në bord.
Nga ana e tij, lideri ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar ngjarjen si një “sulm horror me dron”, duke aluduar se dy mjete ajrore pa pilot me origjinë ruse kanë shënjestruar një anije civile me pronësi turke në ujëra neutrale.
“Rusia zgjedh vazhdimisht terrorin dhe fundosjen e anijeve civile, në vend të lundrimit normal detar”, ka shprehur ai përmes një postimi në rrjetin social X.
Zelensky vuri në dukje se Kievi ka paraqitur në vijimësi iniciativa konkrete për uljen e rreziqeve dhe mbrojtjen e lundrimit në Detin e Zi, duke u bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të angazhohen për rikthimin e sigurisë në korridoret e transportit dhe tregtisë ushqimore globale.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur vendet e krahut lindor të NATO-s, përfshirë Rumaninë, po përballen gjithnjë e më shpesh me incidente të ngjashme që përfshijnë mjete ajrore, për të cilat dyshohet se vijnë nga Rusia, ndërkohë që Turqia gjithashtu mbetet një vend aleat në këtë aleancë ushtarake.
Vlen të kujtohet se muajin e kaluar, një avion luftarak asgjësoi një dron detar të mbushur me eksploziv pranë infrastrukturës kryesore të gazit në Detin e Zi, menjëherë pas një tjetër shkeljeje të hapësirës ajrore rumune pranë kufirit ukrainas.
Lideri rumun, Nicuşor Dan, pati reaguar ashpër në atë kohë duke e drejtuar gishtin nga Moska, të cilën e akuzoi për nxitje të tensioneve dhe veprime të rrezikshme.
Në kohën kur autoritetet në Bukuresht po hetojnë shkaqet e sakta të ngjarjes tragjike në anijen “Royad Mammadov”, ky incident riaktualizon frikën dhe pasigurinë për lundrimin e mjeteve civile dhe tregtare në këtë rajon strategjik.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: