Politikë
Glauk Konjufca nga New Yorku: Vendimi i Hagës është padrejtësi që duhet korrigjuar
Reklamë e Sponsorizuar
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka qenë i pranishëm në Gala Mbrëmjen e dytë vjetore të organizuar nga Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) në New York. Ngjarja, e cila mblodhi së bashku përfaqësues të shquar të diasporës, miq të komunitetit shqiptar dhe personalitete të jetës publike, u fokusua te forcimi i urave lidhëse mes dy popujve dhe te vlerësimit të kontributit të çmuar të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë fjalës së tij, kryediplomati kosovar vuri në pah angazhimin disadekadësh të shoqatave, organizatave dhe veprimtarëve shqiptarë në SHBA, të cilët luajtën një rol kyç në ndërgjegjësimin e politikës dhe opinionit amerikan rreth realitetit dhe çështjes së Kosovës.
“Veprimtarët, shoqatat dhe organizatat shqiptare punuan për dekada për çështjen shqiptare dhe për ndërgjegjësimin e opinionit dhe institucioneve amerikane për Kosovën. Kontributi i mërgatës shqiptare në Amerikë qëndron në themel të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Konjufca.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të tij iu kushtua zhvillimeve juridike, ku ai e trajtoi aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Konjufca e cilësoi këtë vendim si një vendim që kalon kufijtë e fatit individual, duke prekur drejtpërdrejt themelet e luftës çlirimtare.
“Vendimi i shkallës së parë i Dhomave de Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së përbën një padrejtësi që shkon përtej fatit personal të të dënuarve dhe prek kauzën tonë për çlirim dhe liri. Kjo padrejtësi duhet të korrigjohet dhe duhet të mbrohet legjitimiteti i luftës çlirimtare të UÇK-së dhe e drejta e popullit të Kosovës për çlirim nga shtypja”, tha ndër të tjera ai.
Duke adresuar situatën e brendshme në vend, ministri Konjufca theksoi domosdoshmërinë e garantimit të stabilitetit institucional dhe demokratik në Kosovë, duke bërë thirrje për një qasje më të përgjegjshme nga ana e klasës politike.
Ai kërkoi reflektim të thellë dhe vendosjen e interesit shtetëror e kombëtar mbi çdo kalkutim të ngushtë partiak.
“Në një kohë sfidash të mëdha, kohezioni kombëtar dhe funksionimi i qëndrueshëm i institucioneve mbeten thelbësore”, theksoi ai para të pranishmëve.
Në fund të kësaj ngjarjeje solemne, Konjufca shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për AARC-në për punën e palodhur në avancimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe Shteteve e Bashkuara, si dhe për mbajtjen gjallë të identitetit dhe lidhjeve të bashkatdhetarëve me trojet e tyre.
“Zëvendëskryeministri Konjufca falënderoi AARC-në për angazhimin në forcimin dhe avancimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe për rolin e saj në ruajtjen dhe fuqizimin e lidhjes së komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara me vendet tona”, thuhet në nomunikatën zyrtare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: