Kronikë
Përplasje në Kuvend: PDK kërkon shqyrtimin e Ligjit për Specialen, Haxhiu refuzon ndërhyrjen në rendin e ditës
Reklamë e Sponsorizuar
Kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dalë kundër propozimit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që seanca për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të mbahet gjatë ditës së sotme në orën 17:30.
Kjo përplasje verbale erdhi pasi deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ngriti një mocion procedural për të anashkaluar afatet e rregullta të parapara në Rregulloren e punës së Kuvendit.
Në propozimin e tij, Tahiri kërkoi që amendamentet për këtë projektligj t'i dërgoheshin Komisionit Funksional për Legjislacion deri në orën 14:30.
Sipas planit të tij të paraqitur, komisioni do të duhej ta shqyrtonte dokumentin deri në orën 15:30 dhe t'ua përcillte raportin komisioneve të përhershme, të cilat deri në orën 16:30 do të jepnin rekomandimet e tyre, kurse Komisioni Funksional deri në orën 17:00 do t'ia dorëzonte Kuvendit raportin përfundimtar për shqyrtim të dytë.
Si kundërpërgjigje ndaj kësaj nisme, Haxhiu u bëri thirrje grupeve parlamentare që të ulen në një takim konsultativ për të arritur një konsensus të gjerë rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të vendit.
Ajo u shpreh se marrëveshja mes krerëve të partive është parakusht për të ecur para, duke shprehur habi se si qëndrimet e subjekteve ndryshojnë brenda pak orësh, teksa theksoi domosdoshmërinë e unitetit politik për t'i dhënë vendit kreun e ri të shtetit.
Në fjalën e saj, kryesuesja e Kuvendit përsëriti vendosmërinë se institucionet nuk guxojnë ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme vetëm për shkak të çështjes së postit presidencial.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: