Politikë
Kërkesë urgjente nga Kuvendi: Projektligji për Dhomat e Specializuara të kalojë sot në lexim të dytë
Reklamë e Sponsorizuar
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka kërkuar trajtimin me urgjencë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke kërkuar votimin e tij edhe në lexim të dytë gjatë seancës së sotme.
Duke iu referuar tubimit të qytetarëve jashtë ndërtesës legjislative, Tahiri vlerësoi se protesta dëshmon qartë ndjeshmërinë e lartë shoqërore rreth kësaj teme.
"Me plot të drejtë, ndjeshmëria dhe protestuesit në këtë moment, qyteti i Prishtinës dhe Kuvendi është i rrethuar me shqiptarë që kanë ndjeshmëri për këtë temë dhe këtë çështje. Andaj, ne nuk duhet të sillemi dhe të veprojmë sikur nuk po ndodh asgjë", u shpreh deputeti nga foltorja e Kuvendit.
Në fjalën e tij, ai bëri thirrje të prerë për procedim të përshpejtuar të këtij dokumenti ligjor.
"Po kërkojmë që të trajtohet me urgjencë mocioni dhe Projektligji me u votu edhe në leximin e dytë", shtoi ai.
Në mbyllje të fjalimit, Tahiri theksoi se trashëgimia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shtrihet përtej çdo ndarjeje politike.
"UÇK-ja është mbi secilën parti politike dhe është e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë", përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: