Sport
Dritë jeshile për “Prishtina 2030”, Kuvendi ratifikon marrëveshjen prej 60 milionë eurosh me francezët
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka mirëpritur vendimin e Kuvendit të Kosovës për miratimin e Projektligjit që hap rrugën e ratifikimit të marrëveshjes së kredisë me Agjencisë Franceze për Zhvillim. Kjo paketë financiare prej 60 milionë eurosh i dedikohet realizimit të Lojërave Mesdhetare XXI.
Përmes një reagimi publik, Gashani ka vlerësuar se ky vendim shënon një gurthemel në transformimin e infrastrukturës sportive të vendit dhe konkretizimin e vizionit madhor për “Prishtina 2030”.
Në mesazhin e tij, ministri u shpreh: “Sot, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është miratuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e Projektit të Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë”.
Duke e cilësuar si moment historik për sektorin e sportit, ai shtoi se ky është “një hap i rëndësishëm për realizimin e këtij projekti madhor dhe zhvillimin e infrastrukturës sportive në Kosovë”. Në fund, Gashani shprehu mirënjohjen e tij përfaqësuesve të popullit: “Faleminderit të gjithë deputetëve për mbështetjen dhe votën!”
Ky vendim i rëndësishëm u mor me konsensus të plotë parlamentar, ku marrëveshja u mbështet me 95 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim. Fondeve prej 60 milionë eurosh do t'u shtohet edhe mundësia e një granti investiv prej 10 milionë eurosh, duke e çuar buxhetin e përgjithshëm në shifrën e 70 milionë eurove.
Planifikimet parashikojnë që pjesë e këtij investimi të jetë rinovimi rrënjësor dhe zgjerimi i hapësirave të kampusit të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Gjatë periudhës së Lojërave Mesdhetare, ky kompleks do të funksionalizohet si fshat i atletëve, ndërsa zonat sportive përreth do të shndërrohen në qendra moderne stërvitore për garuesit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: