Sport
Paraqitja në SPAK, Berisha: Korridoret ishin mbushur me dosje, po përgatiteshin për t'u larguar
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në kuadër të detyrimit për t'u paraqitur rregullisht lidhur me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Pas përfundimit të këtij detyrimi ligjor, lideri i opozitës bëri të a ditur se ka lënë një shënim zyrtar dhe më pas u ndal te situata që, sipas tij, ka parë brenda institucionit.
“Tani ju jeni të gjithë kuriozë se çfarë gjeta unë aty. Aty, të gjithë po bënin gati valixhet. Po bënin gati valixhet, kishin mbushur korridorin me dosje që duket po i çonin t’i djegin dhe po brohorisnin rroftë Partia Socialiste”, u shpreh Berisha përpara gazetarëve.
Gjatë prononcimit të tij, kreu i PD-së hodhi akuza të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke pretenduar se institucioni ka preferuar të heshtë për ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Penale, të cilat sipas tij cënojnë rëndë procesin e hetimeve dhe akuzës.
“SPAK heshti si fija e barit kur Rama për ligjin që i jep goditje fatale hetimit, sepse janë seksion i PS. Aty brenda po brohorisnin ‘Rroftë Partia Socialiste. Ndërkohë, unë u informova nga Strasburgu se Këshilli i Evropës nuk është absolutisht dakord në asnjë nga këto”, theksoi ai.
Në përmbyllje të deklaratës së tij, Berisha vlerësoi se heshtja e SPAK-ut karshi këtyre zhvillimeve ligjore dëshmon qartë se institucioni funksionon si pjesë e një skenari për të sabotuar dhe shkatërruar sistemin e hetuesisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: