Ekonomi
LSDM: 30 muaj pushtet i Mickoskit sollën ngecje ekonomike, borxhe rekord dhe bllokim të rrugës drejt BE-së
Reklamë e Sponsorizuar
Periudha dyvjeçare e gjysmë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski dhe OBRM-PDUKM ka rezultuar në një rënie të ndjeshme ekonomike, standard më të ulët për qytetarët, ekonomi të dëmtuar, valë të reja borxhesh dhe një perspektivë evropiane të bllokuar, sipas akuzave të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM).
Nga kjo parti theksojnë se ndërsa miliona euro nga fondet publike drejtohen në tendera me prapavijë partiake, buxheti për qytetarët mungon. Si shembull përmenden shuma prej 5.53 milionë eurosh për një DJ, 200 milionë euro të përfshira në skandale tenderësh, si dhe transaksione që përfshijnë shitjen e tokave, burimeve ujore dhe xeheve. Plani parasheh pesë miniera të reja deri në vitin 2040, përfshirë antimonin pranë Kriva Pallankës dhe qendra të dhënash, të cilat sipas opozitës shërbejnë për interesa të ngushta, komisione dhe përfitime në kurriz të popullit.
Po ashtu, rrjeti i biznesit në sektorin e energjisë vazhdon të operojë me intensitet të plotë, duke përfshirë kontrata për matësa dhe marrëveshje për autobusë që lidhen me emrin e Orbanit.
Gjatë kësaj kohe, shporta e konsumatorit e llogaritur së bashku me një banesë me qira ka kapërcyer shifrën e 90.000 denarëve. Paga e punonjësve mbetet ndër më të ulëtat në Evropë, ndërsa ata përballen me vështirësi të mëdha për të mbyllur muajin.
Shtrenjtimi ka përfshirë çdo sektor, ku çmimi i karburanteve ka kaluar kufirin e 100 denarëve, ndërsa ekzekutivi nuk ndërmerr hapa konkretë dhe nuk siguron mjete për pagën minimale prej 600 eurosh.
Sektori bujqësor ndodhet në pikë të vështirë ekzistenciale: mungojnë fondet, tregu i shitjes dhe mbështetja, subvencionet janë shkurtuar me 40 milionë euro, ndërsa pagesat vonohen vazhdimisht. Për më tepër, fondet e programit IPARD rrezikohen si pasojë e korrupsionit të drejtorit.
Në anën tjetër, pensionistët përballen me pasiguri financiare, ndërkohë që deficiti në Fondin Pensional ka arritur në një miliard euro, duke shtyrë qeverinë të synojë mjetet e shtyllës së dytë pensionale.
Borxhi publik vazhdon të shënojë rritje javë pas jave. Vetëm brenda dy viteve e gjysmë, administrata e udhëhequr nga Mickoski ka shtuar 4 miliardë euro në borxhin shtetëror, duke përbërë gjysmën e totalit të borxhit të akumuluar në tri dekadat e fundit. Ndërkohë, investimet e huaja direkte kanë rënë në nivelin më të ulët historik, me vetëm 18.7 milionë euro të regjistruara në tremujorin e dytë të vitit 2026.
LSDM vlerëson se integrimi evropian i vendit është ngrirë plotësisht. Edhe pse identiteti, gjuha dhe kultura maqedonase kanë mbetur të paprekura, frika e Mickoskit nga një proces llogaridhënieje evropiane po e orienton vendin drejt izolimit.
Në vend të reformave thelbësore dhe një perspektive të qartë evropiane, qeverisja po avancon agjenda që e largojnë Maqedoninë nga Bashkimi Evropian.
Përfundimisht, nga opozita përsërisin se këto 30 muaj të udhëheqjes së Mickoskit kanë prodhuar vetëm varfëri, izolim, shembje ekonomike, përkeqësim të standardit të jetesës dhe një valë edhe më të madhe të emigrimit të rinisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: