Sport
Fjala në OKB: Pse kryeministri Edi Rama nuk e përmendi dënimin e ish-krerëve të UÇK-së?
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shmangur çdo referencë ndaj vendimit gjyqësor ndaj ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Gjatë paraqitjes në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, fokusi i kreut të qeverisë shqiptare ishte kryesisht te zhvillimet e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, duke përfshirë në fjalën e tij edhe referencën për “ministren Diella”, por pa bërë asnjë apostrofim për dënimet e fundit të ish-krerëve të UÇK-së. Kujtojmë se Rama e kishte cilësuar më parë vendimin e Gjykatës Speciale si një “turp”.
Në kontrast me këtë heshtje, gjatë sesionit të OKB-së në vitin 2022, Rama kishte mbajtur një fjalë të ashpër ku kishte trajtuar procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe raportin famëkeq të Dick Martyt, mbi bazën e të cilit u themelua kjo gjykatë, duke e cilësuar atë dokument si të “tmerrshëm”.
“Në bazë të atij raporti është krijuar Gjykata Speciale e Kosovës dhe ka arrestuar pa aktakuzë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ai priti një vit në paraburgim derisa formalisht u ngrit aktakuza. Të gjithë ju, imagjinojeni për një moment, presidenti juaj ose kryeministri, udhëheqësit e vendeve tuaja, të merret në paraburgim në një vend të tretë për një vit të tërë pa asnjë aktakuzë zyrtarisht nga një trup i krijuar dhe i sponzorizuar nga një komunitet i vendeve demokratike”, pati deklaruar ai asokohe, duke shtuar se nuk do të heqë dorë nga e vërteta dhe se do të nderojë gjithmonë sakrificën e atyre që rrezikuan jetën për lirinë.
Megjithatë, situata ka qenë ndryshe në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane. Në atë ngjarje, ku diskutoi për aleancën mes dy vendeve, Rama e kujtoi me emocione ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke shprehur hapur keqardhjen për mungesën e tij.
“Po kështu më bën të vuaj mungesën e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar edhe nën strehën e tij. Ai është Hashim Thaçi”, u shpreh ai, duke shtuar se mungesa e tij lidhet me atë që e konsideroi një tradhti ndaj figurës së tij.
“I kërkoj ndjesë gjithkujt që ndoshta do të ndihet i shpërfillur, por mund të them që gjëja më e mirë që mund të më ndodhte sot ishte të ulesha krah kumbarit shqiptar Sal Rusi. Po kështu më bën të vuaj mungesën e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar edhe nën strehën e tij, ai është Hashim Thaçi. Ai nuk është sot pjesë këtu, sepse ky vend e tradhtoi, jo Biden-i e tradhtoi, sepse edhe gjenerali Clark bëri më të mirën. Ky vend nuk bëri më të mirën për Thaçin, për George Uashingtonin e Kosovës”, shtoi më tej kryeministri.
Këto zhvillime vijnë pas vendimit të datës 16 shtator, ku Gjykata Speciale e shkallës së parë shpalli fajtorë dhe dënoi ish-krerët e UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim: Hashim Thaçin me 25 vjet, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet heqje lirie.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: