Kronikë
Tragjedi në Vlashnje të Prizrenit: Shpejtësia e skajshme dhe mungesa e sigurisë rrugore frikësojnë banorët
Reklamë e Sponsorizuar
Infrastruktura rrugore dhe shpejtësia e papërshtatshme e automjeteve janë shndërruar në një kërcënim serioz për jetën e banorëve në disa zona rurale të komunës së Prizrenit. Vetëm gjatë një muaji, në fshatin Vlashnje janë shënuar tri aksidente trafiku, njëri prej të cilave rezultoi me fatalitet, duke i marrë jetën një 21-vjeçareje.
Situata në këtë segment që përshkon vendbanimin mbetet alarmante për shkak të lëvizjes së mjeteve me shpejtësi të lartë. Përfaqësuesi i katër fshatrave, Petrit Hoxhaj, shpreh shqetësimin etheksuar të banorëve, të cilët thonë se janë lënë në harresë nga autoritetet komunale. "Në fillim të muajit shtator, nëse nuk gaboj, një vajzë 17-vjeçare u godit nga një veturë, më pas një kombi hyri brenda oborrit të një shtëpie, ndërsa javën e kaluar ndodhi aksidenti fatal. Jemi ankuar vazhdimisht në komunë pasi jemi në hall," deklaroi ai, duke shtuar se rrezikshmëri të lartë paraqesin edhe kamionët e tonazhit të rëndë.
Banorët theksojnë se mungesa e trotuareve dhe tejkalimi i kufizimeve të shpejtësisë përbëjnë rrezik të përditshëm për këmbësorët. "Nuk ka trotuar, shiheni vetë. Unë e kam shtëpinë këtu dhe kur dal nuk mund ta shoh rrugën si duhet, pasi veturave u japin një shpejtësi që të habit. Ndërkohë, kufizimi i shpejtësisë te xhamia është vendosur në 50 kilometra në orë, brenda në katund," tregon Hasip Vukshinaj, banor i zonës.
Komuniteti lokal kërkon vendosjen e pengesave fizike në rrugë për të detyruar ngasësit të ulin shpejtësinë, mirëpo drejtori i Shërbimeve Publike, Islam Ukimeri, argumenton se institucioni që ai drejton nuk ka kompetencë ligjore për një veprim të tillë. Nga ana tjetër, Toger Arben Elshani nga Policia e Trafikut në Prizren sqaron se vendosja e mbrojtëseve të shpejtësisë është kompetencë komunale, por kërkon paraprakisht një kërkesë zyrtare nga policia pas analizimit të terrenit.
"Në çdo aksident trafiku ekzistojnë tre faktorë sigurie: shoferi, vetura dhe infrastruktura rrugore. Te këto tri elemente bëhet analiza e çdo ngjarjeje të rëndë, qoftë me lëndime të rënda apo me fatalitet. Në bazë të të gjeturave, ne dërgojmë rekomandimet tona te institucionet përkatëse. Për rastin në Vlashnje, kjo është kompetencë e Kuvendit Komunal; do të diskutojmë në takimet e ardhshme dhe do të bëjmë propozimet tona, ndërsa implementimi varet nga komuna," u shpreh Toger Arben Elshani.
Për të zbutur këtë problem, banorët shpresojnë te realizimi i një projekti trevjeçar komunal për vendosjen e kamerave të sigurisë në hyrje-daljet e fshatrave. Ndërkaq, policia u bën thirrje qytetarëve që sidomos gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës të përdorin veshje fluoreshente, në mënyrë që të jenë më të dukshëm për vozitësit dhe të shmangen tragjedi të reja.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: