Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Kryeministri Rama në OKB: Dezinformimi dhe manipulimi masiv po kërcënojnë themelet e demokracisë

Redaksia Lajmetereja • 25-09-2026 18:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri Rama në OKB: Dezinformimi dhe manipulimi masiv po kërcënojnë themelet e demokracisë
Kryeministri Edi Rama ka ngritur alarmin në OKB lidhur me rreziqet që manipulimi i lajmeve dhe kontrolli i kanaleve të shpërndarjes u kanosen vlerave demokratike dhe lirisë së shprehjes në botën e sotme. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi se qytetarët mund të jetojnë në të njëjtin komunitet dhe t'i drejtohen të njëjtave procese zgjedhore, por realitetet e tyre informative dhe bindjet e krijuara mbi to mund të jenë krejtësisht të ndryshme. “Dy fqinj mund të jetojnë në të njëjtën rrugë, të votojnë në të njëjtat palë zgjedhje dhe të votojnë brenda realiteteve kryekëput të ndryshme. Kur kjo ndodh, demokracia nuk humbet thjeshtë një debat, por terrenin e përbashkët në të cilin bëhet i mundur debati”, u shpreh Rama. Sipas shefit të ekzekutivit, koncepti i sovranitetit kombëtar nuk duhet të kufizohet vetëm te ruajtja e kufijve territorialë, por domosdoshmërisht duhet të përfshijë edhe sigurinë e hapësirës digjitale dhe informative ku njerëzit formojnë opinionet e tyre. “Sovraniteti nuk grryhet më në kufij. Sot në Europë ne po vrapojmë si të marrë për të hedhur gjithmonë e më shumë para që nuk i kemi për të mbrojtur tokat dhe qiejt tanë nga një luftë e mundshme në të ardhmen”, u shpreh ai. Rama argumentoi se mbrojtja e vërtetë e demokracisë në kohët moderne kërkon garanci që qytetarët të kenë lirinë e plotë për të krijuar mendimin e tyre, pa rënë pre e ndikimeve dhe manipulimeve të fshehta. “Por në shekullin që po jetojmë, kjo duhet të nënkuptojë krijimin e shoqërisë së lirë për të mbrojtur kushtet në të cilat qytetarët e tyre formojnë opinionin e vet. Pa këtë, sovraniteti mbi tokën dhe qiejt bëhet një iluzion”, shtoi kryeministri. Duke analizuar dinamikën e shpërndarjes së të dhënave, Rama theksoi se rreziku ndaj fjalës së lirë nuk vjen vetëm nga ajo që artikulohet, por kryesisht nga mënyra se si fuqizohet dhe amplifikohet përmbajtja përmes algoritmeve. “Sot liria e shprehjes kërcënohet nga përdorja si armë nga fuqia e shpërndarjes. Shpërndarja mund të manipulohet dhe të përdoret në mënyrë kriminale. Kur një gënjeshtër shumëfishohet miliarda herë, e vërteta varroset”, deklaroi ai. Në këtë kontekst, kryeministri vuri në dukje se megjithëse e drejta për të folur mbetet e pacenuar, zëri i individit rrezikon të tretet mes një orteku masiv informacionesh të manipuluara. “Qytetari mbetet i lirë të flasë, por në një stuhi që askush nuk mund ta dëgjojë”, u shpreh Rama. Në mbyllje të fjalës së tij, Rama bëri një ndarje të qartë midis mbrojtjes legjitime të lirisë së shprehjes dhe kontrollit shtetëror mbi mendimin e qytetarëve, duke kërkuar transparencë dhe ekspozim të mekanizmave të amplifikimit të fshehtë të lajmeve. “Përgjigja për të folurin e keq mbetet liri fjale, por për amplifikimin e fshehtë duhet të jetë ekspozim. Dhe duhet të bëhet sa më herët.” “Të mbrosh demokracinë dhe lirinë e secilit komb për të jetuar, s’do të thotë të kontrollosh njerëzit çfarë mendojnë. Nëse ne mbrojmë lirinë e shprehjes, duke e lënë kontrollin e shpërndarjes në terr, është njësoj si të mbrosh derën, por të dorëzosh gjithë dhomën”, përfundoi Rama.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar