Kronikë
Kërcënimi ndaj Rexhep Selimit, deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi kërkon reagimin urgjent të Prokurorisë
Reklamë e Sponsorizuar
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka ngritur alarmin gjatë ditës së diel, pasi është njohur me një koment në rrjetet sociale që bën thirrje të hapur për eliminimin fizik të bashkëshortit të saj, Rexhep Selimi, i cili ndodhet nën masën e dënimit nga Gjykata Speciale.
Sipas ligjvënëses kosovare, ky veprim i rëndë nuk duhet të kalojë në heshtje dhe pa u hetuar nga organet e zbatimit të ligjit, ndaj ajo u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërhyjnë menjëherë.
Në reagimin e saj të plotë, ajo thekson:
"Sot, përmes raportimeve në mediat e shkruara, u njoftova për një koment publik në rrjetet sociale, në të cilin bëhet thirrje e drejtpërdrejtë për ekzekutimin e bashkëshortit tim, Rexhep Selimit.
Si bashkëshorte dhe si qytetare e Republikës së Kosovës, e konsideroj këtë një çështje jashtëzakonisht serioze, e cila nuk mund dhe nuk duhet të kalojë pa u trajtuar nga institucionet përgjegjëse.
Mospajtimet, bindjet politike apo qëndrimet personale të askujt nuk mund të shërbejnë si justifikim për thirrje publike për vrasjen e një njeriu. Liria e shprehjes nuk mund të përdoret si mbulesë për nxitjen e dhunës.
Prandaj, i bëj thirrje publike Prokurorisë së Shtetit që, në kuadër të kompetencave të saj, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për hetimin e këtij rasti, identifikimin e personit që qëndron pas komentit dhe vlerësimin e përgjegjësisë eventuale penale.
Nuk kërkoj asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa zbatimin e ligjit dhe trajtimin me seriozitetin e duhur të një thirrjeje publike për marrjen e jetës së një njeriu. Heshtja dhe normalizimi i një gjuhe të tillë janë të papranueshme. Institucionet e drejtësisë kanë përgjegjësinë të sigurojnë që këto raste të trajtohen në përputhje me ligjin, pavarësisht se ndaj kujt drejtohen."
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: