Aktuale
Raporti negativ i Revizionit, Inspektorati i Tregut në RMV premton hapa konkretë për korrigjimin e mangësive
Reklamë e Sponsorizuar
Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) është angazhuar fuqimisht në adresimin e parregullsive të evidentuara dhe në krijimin e një modeli pune më funksional e llogaridhënës. Kështu ka bërë të ditur drejtori i këtij institucioni, Vllatko Stojkoski, reagimi i të cilit vjen pas gjetjeve të Entit Shtetëror të Revizionit (ESR), i cili shprehu opinion negativ për saktësinë e raporteve financiare të ISHT-së për vitin 2024, si dhe një opinion me rezervë lidhur me përputhshmërinë ligjore të veprimtarisë së tyre.
“Institucioni ynë po ndërmerr hapa të prekshëm për të eliminuar të metat e identifikuara, për të shtuar kuadrot njerëzore, për të rregulluar regjistrimet financiare e materiale, si dhe për të ngritur në një nivel më të lartë procedurat e kontrollit dhe proceset digjitale”, theksoi drejtori i ISHT-së, Vllatko Stojkoski.
Ai shtoi se prioritet i veçantë po i jepet plotësimit të vendeve të lira të punës dhe trajnimit të trupës inspektuese, ndërsa procesi i digjitalizimit po ecën përpara falë ndihmës nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, aktualisht po zhvillohet një aplikacion softuerik për menaxhimin e të gjitha cikleve të punës, krahas masave për mbarëvajtjen e kontrollit financiar dhe pasuror. Krahas këtyre, ISHT do të fokusohet te ngritja e standardeve për mbikëqyrje më efektive dhe te garantimi i kushteve për analiza të vazhdueshme laboratorike.
“Aksioni për adresimin e këtyre sfidave ka nisur që në vitin 2025, ndërkohë që periudha e kontrolluar nga revizorët përfshin vitet 2023–2024. Që në momentin e marrjes së drejtimit, ne vetë evidentuam disa nga vështirësitë me të cilat përballet ky dikaster. Pikërisht për të pasur një pasqyrë reale dhe objektive të situatës, ne vetë i kërkuam Entit Shtetëror të Revizionit që të bëjë një auditim”, u shpreh kreu i Inspektoratit të Tregut, duke vlerësuar lart punën dhe sugjerimet e dala nga ky proces.
Në raportin e publikuar një ditë më parë nga Enti Shtetëror i Revizionit, u vunë në dukje mangësi të theksuara në burimet njerëzore, ngecje në procesin e digjitalizimit, parregullsi në administrimin financiar dhe material të ISHT-së, si dhe mungesa e infrastrukturës së nevojshme për të kryer kontrolle të pandërprera ndaj mallrave që mund të përbëjnë rrezik për konsumatorët.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: