Kronikë
Valë pakënaqësish në Gjermani: Diaspora tubim masiv në Berlin kundër vendimit të Gjykatës Speciale
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeqyteti i Gjermanisë, Berlini, bëhet sot arena e një proteste publike nën thirrjen “Jo në emrin tim”. Tubimi është paraparë të nisë duke filluar nga ora 12:00, në afërsi të ndërtesës së Parlamentit gjerman, konkretisht te “Reichstagsgebäude” në adresën Platz der Republik 1, si shenjë revolte ndaj aktgjykimit të fundit të Gjykatës Speciale ndaj ish-kudhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo protestë e organizuar nga bashkatdhetarët vjen vetëm një ditë pasi një tubim i ngjashëm u mbajt gjithashtu nga diaspora shqiptare në qytetin e Munihut. Krahas aktiviteteve në Gjermani, vala e pakënaqësisë shtrihet edhe në vend, ku sot në kryeqytetin e Kosovës do të mbahet protesta e 19-të me radhë. Manifestimi në Prishtinë është thirrur të zhvillohet në sheshin “Skënderbeu” duke nisur nga ora 19:00.
Kërkesa kryesore e këtyre protestave nën kauzën “Jo në emrin tim” mbetet miratimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale nga ana e Kuvendit të Kosovës. Këto zhvillime vijnë pas datës 16 shtator, kur Dhomat e Specializuara me seli në Hagë shpallën vendimin e shkallës së parë, duke dënuar me gjithsej 81 vjet burgim katër ish-figurat kryesore të UÇK-së, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: