Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Ekonomi

Kriza e heshtur e shoqërisë shqiptare: Kur zilia dhe përgojimi zëvendësojnë solidaritetin

Redaksia Lajmetereja • 04-10-2026 06:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kriza e heshtur e shoqërisë shqiptare: Kur zilia dhe përgojimi zëvendësojnë solidaritetin
Përveç sfidave të njohura ekonomike, sociale, kulturore, demografike dhe institucionale me të cilat përballet shoqëria shqiptare, qoftë në atdhe apo në diasporë, një tjetër plagë po gërryen themelet e marrëdhënieve tona shoqërore. Bëhet fjalë për zbehjen e solidaritetit dhe përhapjen e një atmosfere mosbesimi, smire, shpifjesh dhe diskreditimi reciprok, pasojat e të cilave janë tepër të rënda. Në realitetin tonë të përditshëm po bëhen gjithnjë e më të zakonshme rastet e fjalëve të këqija, etiketimeve fyese, bullizmit, përjashtimit nga grupet shoqërore dhe konflikteve pa asnjë lloj kuptimi. Madje, këto dukuri negative fatkeqësisht po depërtojnë edhe në qendër të familjes, duke dëmtuar lidhjet mes prindërve dhe fëmijëve, vëllezërve e motrave, si dhe të afërmve të tjerë. Ky nuk është thjesht një mosmarrëveshje mes individësh. Kur këto sjellje përsëriten aq shumë sa bëhen normale dhe shndërrohen në standard komunikimi, ato marrin përmasat e një shqetësimi të mirëfilltë social dhe kulturor. Historikisht, shqiptarët janë përballur shpesh me ndërhyrje të jashtme që synonin të cënonin unitetin tonë përmes përçarjes dhe propagandës. Por sot, është koha të mbledhim guximin dhe të bëjmë një pyetje thelbësore: A po ja bëjmë vetes pikërisht atë që dikur na e bënin të tjerët? Asnjë bashkësi njerëzore nuk shkatërrohet vetëm nga armiqtë e jashtëm. Ajo pëson goditjen më të rëndë kur qytetarët e saj humbasin besimin reciprok, kur arritja e tjetrit perceptohet si rrezik dhe kur njerëzit e përkushtuar ndaj të mirës së përbashkët kthehen në shënjestër sulmesh vetëm pse kanë shënuar një sukses. Atëherë kur shqiptari zgjedh të shpifë për bashkëkombësin e tij, ta njollosë pa fakte, t'ia zvogëlojë kontributin dhe t'ia mohojë meritat, ne nuk kemi më nevojë për armiq të jashtëm për të na dobësuar. Një nga pasqyrimet më të trishta të kësaj mendësie shihet te mënyra se afrimi i suksesit të tjetrit pritet me dyshim në vend të urimit, dhe me ironi në vend të mbështetjes. Pyetja se si mund të ndihmojmë zëvendësohet nga ajo se si mund ta ulim dikë tjetër. Kështu lind një paradoks i rrezikshëm: në vend që të përpiqemi të ngrihemi vetë, tentojmë të ulim tjetrin vetëm që të mos dukemi të dobët vetë. Kjo nuk ka asnjë lidhje me garën e shëndetshme, por përbën një formë të varfërisë morale. Një komb ecën përpara kur qytetarët e tij konkurojnë me punë, dije, profesionalizëm dhe vlera, e jo me atë se kush mund të baltosë më shumë tjetrin. Një shoqëri duhet të alarmohet thellësisht kur krijohet ideja se puna e ndershme nuk shpërblehet, ndërsa sjelljet e mbrapshta fitojnë hapësirë. Nëse njeriu punëtor sulmohet e shpifësi duartrokitet, nëse intelektuali anashkalohet ndërsa nxitësi i konflikteve merr vëmendje, atëherë kemi të bëjmë me një çrregullim të rëndë të mekanizmave moralë të vlerësimit. Kushdo që ka ndërtuar me vite një reputacion profesional apo ka dhënë kontribut të çmuar në komunitet, edukim, kulturë apo ndihmë ndaj njerëzve, nuk duhet të hidhet poshtë nga fjalët boshe dhe pa prova të askujt.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar