Aktuale
“U shtira si i vdekur mes 275 viktimave” – Rrëfimi rrëqethës i Elbasan Bunjakut për masakrën e Vërbocit
Reklamë e Sponsorizuar
Për Elbasan Bunjakun, çdo kthim në fshatin Vërboc të Drenasit sjell në vëmendje plagët e rënda të së kaluarës dhe kujtimet e dhimbshme të fëmijërisë.
Plot 27 vite më parë, kur ishte vetëm 13 vjeç, ai ka rrëfyer me lot në sy tmerrin e përjetuar gjatë masakrës së Vërbocit, një ngjarje e rëndë ku humbën jetën gjithsej 275 shqiptarë.
I riu kishte mbetur i vetmi i mbijetuar pasi grupi me të cilin po përpiqej të largohej përmes pyllit u ekzekutua papritur, duke e lënë atë të shtrirë mes trupave të pajetë për tri ditë e tri net me radhë.
“Na kanë gjuajtur të gjithëve ne grupin që kemi qenë shtatë apo tetë persona. Shumicën i kanë rrokë sa kemi qenë aty dhe fatmirësisht mua nuk më kanë rrokë, jam bërë sikur i vdekur. Ka në ardh prapë për së dyti e kush ka lëvizë i kanë gjuajtur për së dyti, dikë e kanë zënë edhe të gjallë, por sytë i kam pas qelë i kam parë forcat serbe edhe kam qëndruar për tri ditë e tri net pa hëngër pa pi”, ka treguar Bunjaku.
Askush nuk ka qenë në dijeni se në mesin e kufomave gjendej një fëmijë i gjallë, derisa kishin kaluar tri ditë të plota.
“Në natën e tretë kur janë ardh me i varros trupat që janë kanë këtu të vdekur, ndër ta jam kanë edhe unë aty, por askush nuk e ka ditë që unë jam i gjallë. Unë vetëm i kam lëvizë pak sytë edhe njëri këtu fqinjtë e nipave kur është radha te unë për me më varros, kur më kanë rrotulluar i kam lëvizë pak sytë edhe ai pak është trembë, ju ka tregu atyre nipave e ju ka thanë që Elbasani është gjallë”, ka deklaruar ai.
Pas një periudhe kaq të gjatë pa ushqim dhe pa pikë uji në kushte ekstreme, gjendja shëndetësore e djaloshit 13-vjeçar ishte përkeqësuar ndjeshëm.
“Unë e kam pasur gjendjen shumë të rëndë se tre ditë pa hëngër e pa pijë u kanë shumë e vështirë shumë e rëndë edhe si i ri 13 vjeçar”, kujton ai me hidhërim.
Megjithatë, mbijetesa e tij u shoqërua me një humbje të pazëvendësueshme, pasi mes viktimave të kësaj masakre ndodhej edhe babai i tij.
“Ka qenë shumë e vështirë, por ashtu ka qenë e shkruar. Kanë qenë raporte të mira sikur baba me djalin më edhe djali me babë, por kështu ish kanë e shkruar asgjë nuk është varur nga unë, kam mundur me pas fatin edhe unë si këta tjerët me vdekë, por ka deshtë Zoti. Ka qenë shumë e vështirë, por ashtu ka qenë e shkruar”, është shprehur Elbasani.
Edhe pas 27 vitesh nga kjo tragjedi, Bunjaku i bën thirrje institucioneve shtetërore që të angazhohen më shumë për zbardhjen e plotë dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi makabër.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: