Kronikë
Skenar si në Hollywood në Mamurras: I riu i armatosur përplas makinën e policisë gjatë ndjekjes, bie në pranga Edmir Xhaferri
Reklamë e Sponsorizuar
Një operacion i bujshëm i Policisë së Lezhës në qytetin e Mamurrasit ka përfunduar me prangosjen e një 27-vjeçari, i cili dyshohet se qarkullonte i armatosur dhe ka tentuar t'i shpëtojë drejtësisë përmes dhunës e shpejtësisë. Personi i ndaluar është Edmir Xhaferri, banues në Mamurras të Kurbinit.
Ndërhyrja, e cila u pagëzua me emrin e koduar “Target”, u organizua bazuar në të dhënat operative se një individ lëvizte i armatosur në zonë. Në këtë aksion morën pjesë forca të shumta, përfshirë Sektorin për Krimet e Rënda, Seksionin e Mbështetjes Operacionale pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Komisariatin e Policisë Kurbin.
Sipas burimeve zyrtare, efektivët lokalizuan automjetin e të riut në rrugët e Mamurrasit. Sapo ka vënë re praninë e shërbimeve policore, Xhaferri ka shpërfillur urdhrin e tyre për të ndaluar, duke i dhënë gaz makinës dhe duke u nisur me shpejtësi marramendëse për t'u arratisur.
Gjatë manovrave të rrezikshme për t'i shpëtuar ndjekjes, 27-vjeçari ka goditur me mjetin e tij automjetin e efektivëve të policisë, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Gjatë kësaj kohe, ai gjithashtu ka hedhur në tokë armën e zjarrit që mbante me vete, në përpjekje për të fshehur provat.
Pas një ndjekjeje që zgjati disa minuta, forcat e rendit arritën ta kapnin dhe ta neutralizonin Xhaferrin në lagjen “Zef Hoti” të Mamurrasit. Në cilësinë e provës materiale, blutë sekuestruan armën e zjarrit tip pistoletë, municion luftarak, automjetin e përdorur në ngjarje, si dhe një palë targa.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, e cila do të vijojë procedurat e mëtejshme ligjore ndaj të ndaluarit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: