Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Kriza politike dhe retorika e rrejshme e patriotizmit: Si po rrezikohet e ardhmja e Kosovës

Redaksia Lajmetereja • 03-10-2026 11:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kriza politike dhe retorika e rrejshme e patriotizmit: Si po rrezikohet e ardhmja e Kosovës
A jemi vërtet të vetëdijshëm për dinamikat negative që po zhvillohen brenda shoqërisë sonë? Aktualisht, është vënë re një mobilizim i gjerë i subjekteve politike, grupeve të ndryshme, veteranëve, analistëve, si dhe ndarjeve fisnore e klienteliste, ku të gjithë veprojnë gjoja nën sloganin e mbrojtjes së Republikës, shtetit dhe patriotizmit. Ndërkohë, ky popull ka kaluar nëpër shekuj vuajtjesh, sakrificash dhe derdhje gjaku për të siguruar të drejtat themelore, për të fituar lirinë dhe, përfundimisht, për të ndërtuar pavarësinë dhe shtetësinë. Sot, në vend që të gëzojmë këto arritje historike, jemi përfshirë nga përçarjet, akuzat e ndërsjella, denigrimet dhe rikthimi i mentalitetit të vjetër të ndarjeve për interesa të ngushta personale apo grupore, duke rikthyer kështu mjerimin në vend. Nëse lufta dhe puna jonë e përbashkët kishte për qëllim themelimin e shtetit dhe instalimin e demokracisë përmes votës së lirë të qytetarëve, si dhe ngritjen e institucioneve legjitime, atëherë shtrohet pyetja se çfarë synohet realisht sot. Gjatë historisë, populli shqiptar është dëmtuar rëndë pikërisht nga këto botëkuptime përçarëse, të cilat kanë sjellë vetëm errësirë për të ardhmen. Ngjarjet po dëshmojnë se realiteti ynë nuk përkon me fjalimet e mbushura me retorikë folklorike. Në një kohë kur siguria globale gjendet në udhëkryq dhe kur rreziku i një konflikti të ri botëror është në horizont, shqiptarët e Kosovës po krijojnë kauza artificiale për të mbrojtur agjenda personale dhe familjare, duke minuar kështu funksionimin institucional dhe stabilitetin politik. Kjo eufori, e maskuar pas parullave të patriotizmit dhe shtetësisë, ka nisur të shfrytëzohet nga individë dhe grupe të infiltruar në protestat që organizohen në mbështetje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një shtet nuk ndërtohet përmes veprimeve konspirative dhe hileve që dëmtojnë imazhin e Republikës së Kosovës dhe përçajnë shoqërinë. Është e qartë se klasa politike dhe deputetët e Kuvendit kanë dështuar përballë këtij momenti vendimtar historik, duke e lënë shtetin peng dhe të bllokuar. Kjo qasje politike, e udhëhequr nga një mendësi papjekurie, ka irrituar skajshmërish qytetarët e Kosovës. Është vërtetuar se ky profil politik është i zhveshur nga parimet, vlerat dhe pjekuria për idealet e lirisë dhe pavarësisë, për të cilat u sakrifikuan breza të tërë. Koha ka skaduar. Nëse brenda pak orësh nuk arrihet zgjidhja për çështjen e Presidentit të vendit, qytetarët duhet t'i kthejnë shpinën kësaj politike qorre që e ka katandisur Kosovën në këtë udhëkryq. Për pasojë, fraza “Në emër të Republikës, në emër të shtetit, në emër të patriotizmit” rrezikon të shndërrohet në një slogan të zbrazët të cilit askush nuk do t'i besojë më.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar