Politikë
Nisma për Dhomat e Specializuara, deputetja e PDK-së bën thirrje për veprim urgjent në Kuvend
Reklamë e Sponsorizuar
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka kërkuar nga legjislativi që gjatë ditës së sotme të hapë rrugë procedurave për amendamentimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ajo theksoj se kalimi i këtij projektligji nga ekzekutivi në Kuvend përbën një zhvillim domethënës, megjithatë barra kryesore tashmë i takon deputetëve.
“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë sot në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve”, ka shkruar Shoshi-Musliu.
Ajo po ashtu theksoi nevojën emergjente për një strategji unike, si në rrafshin juridik ashtu edhe në atë diplomatik, e cila do të përfshinte njohës të fushës nga vendi dhe bota, për t'u ballafaquar me fazën e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe për të mbrojtur pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Parlamentarja e PDK-së vuri në dukje se kalimi i vendit në zgjedhje të parakohshme pa e mbyllur këtë çështje rrezikon të lërë ish-krerët e UÇK-së pa mbështetjen e duhur institucionale.
“Kjo çështje është mbi partitë dhe mbi kalkulimet politike. Këtu nuk ka pozitë e opozitë. Ka interes shtetëror”, ka shtuar ajo.
Kujtojmë se gjatë ditës së premte, përmes një mbledhjeje të zhvilluar në rrugë elektronike, kabineti qeveritar i është përgjigjur zyrtarisht Kuvendit lidhur me propozimin e PDK-së për ndryshimet ligjore në fjalë që prekin Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës me nr. Prot. 1108 të datës 23.09.2026, për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar’”, thuhet në njoftim e qeverisë.
Iniciativa e Kuvendit për këtë çështje ishte dorëzuar zyrtarisht më 23 shtator 2026.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: