Ekonomi
Veprimi urgjent i G7: 100 milionë fuçi naftë në treg pas paralajmërimit të fortë nga Trump
Reklamë e Sponsorizuar
Grupi i vendeve më të industrializuara në botë, G7, ka zyrtarizuar planin për të hedhur në treg 100 milionë fuçi naftë dhe derivate, me qëllim stabilizimin e furnizimit dhe frenimin e rritjes së çmimeve.
Sipas njoftimit zyrtar të udhëheqësve të këtij grupi, iniciativa parasheh një zhbllokim masiv të rezervave brenda një afati prej 20 ditësh, ndërsa mbetet e hapur mundësia për ndërhyrje shtesë nëse situata e tregut do ta kërkojë një gjë të tillë.
Ky mekanizëm ndërkombëtar do të nisë zbatuar menjëherë dhe do të shtrihet përgjatë një periudhe katërmujore. Si pjesë e këtij angazhimi, shtetet anëtare të G7 – ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Japonia, Gjermania, Italia dhe Franca, krahas përfaqësimit të Bashkimit Evropian – janë zotuar se nuk do të vendosin asnjë lloj kufizimi eksporti ndaj energjisë dhe produkteve energjetike mes vete.
Këto masa vijnë si pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimit të ashpër të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte kërcënuar me bllokimin e eksporteve të naftës nga SHBA-ja nëse shtetet evropiane nuk do të pranonin të vinin në dispozicion të tregut një pjesë më të madhe të rezervave të tyre strategjike. Një hap i tillë do të zbutte kostot për konsumatorët amerikanë në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit nëntorin e ardhshëm, por rrezikonte të ngrinte çmimet në rajone të tjera.
Të premten, përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump konfirmoi zhvillimet duke theksuar se Evropa ka pranuar të de-stokojë sasi të konsiderueshme nafte dhe se ky operacion do të nisë pa vonesë.
Nga ana e tij, Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, kishte mbrojtur fuqishëm këtë qasje, duke argumentuar se fermerët, transportuesit me kamionë dhe sipërmarrjet amerikane nuk duhet të paguajnë faturën e rritjes galopante të çmimeve të karburanteve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: