Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Dështon ekzekutimi i Christa Pike në SHBA: Amerikanja mbijeton pas dy dozave të helmit dhe dërgohet në spital

Redaksia Lajmetereja • 02-10-2026 14:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Dështon ekzekutimi i Christa Pike në SHBA: Amerikanja mbijeton pas dy dozave të helmit dhe dërgohet në spital
Ekzekutimi i Christa Pike në shtetin amerikan të Tennessee-s dështoi, pasi ajo i mbijetoi administrimit të dy dozave të pentobarbitalit dhe u transferua urgjentisht në spital. Dëshmitarët e pranishëm në vendngjarje kanë bërë publike detajet rrëqethëse nga ajo që ndodhi brenda dhomës së ekzekutimit gjatë orëve të ankthit. Pike, e cila sot është 50 vjeçe, po vujnte dënimin kapital për kidnapimin, torturimin dhe vrasjen makabre të 19-vjeçares Colleen Slemmer, ngjarje kjo e regjistruar në vitin 1995, kur autoret kishin vetëm 18 vjet. Ajo ishte parashikuar të bëhej gruaja e parë që ekzekutohej në Tennessee pas një periudhe prej më shumë se dy shekujsh. Sipas dëshmive të mbledhura në vendngjarje, Pike u sigurua në barelë me një kateter intravenoz në krah. Në orën 19:27, autoritetet e burgut hapën perden që ndante dhomën e ekzekutimit nga dëshmitarët zyrtarë, ndërsa tre minuta më vonë asaj iu dha mundësia për fjalën e fundit. “Jam gati të jem e lirë. Kjo është një ditë e lumtur”, u shpreh ajo pa shfaqur shenja paniku. Gjatë minutave në vijim, këshilltari i saj shpirtëror qëndroi pranë saj duke i folur dhe duke kënduar një këngë me refrenin “Të dua”. E dënuara lëvizte kokën, shikonte përreth dhe buzëqeshte, por në një moment u ankua për dhimbje në krah dhe pyeti stafin nëse një ndjesi e tillë ishte normale. Në orën 19:46, perdja u ul, për t'u ngritur sërish tri minuta më vonë, pasi rregullorja e burgjeve në Tennessee kërkon aplikimin e një doze të dytë të pentobarbitalit nëse i dënuari nuk ndërron jetë pas dozës së parë. Pas injektimit të dozës së dytë, Pike filloi të lëshojë tinguj që i ngjanin gërhitjes, ndërkohë që vazhdonte të merrte frymë normalisht, një situatë që vazhdoi për afro një orë. Avokati mbrojtës, Randy Spivey, tregoi se rreth orës 20:22 kërkoi urgjentisht qasje në telefon për të njoftuar pjesën tjetër të ekipit ligjor, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të procedurës dhe dhënien e ndihmës mjekësore. Konfirmimi për nisjen e ambulancës mbërriti rreth orës 20:50, ndërsa automjetet e emergjencës dhe zjarrfikësve arritën para dyerve të burgut në orën 21:14. Administrata e Burgjeve në Tennessee insistoi se veproi në përputhje të plotë me protokollet zyrtare, megjithëse nuk ofroi sqarime se çfarë dështoi në këtë proces. Si pasojë e kësaj ngjarjeje, guvernatori Bill Lee urdhëroi një hetim të thellë mbi procedurën dhe vendosi shtyrjen e një ekzekutimi tjetër që ishte planifikuar për muajt në vijim. Nëna e viktimës, May Martinez, e cila kishte udhëtuar deri në Nashville vetëm për të parë drejtësinë të vihej në vend, u shpreh e tronditur. “Nuk mora drejtësi për vajzën time. Kjo nuk është drejtësi për Colleen”, deklaroi ajo. Ndërkohë, ekipet mjekësore po luftojnë aktualisht për t'i shpëtuar jetën gruas që i mbijetoi dy dozave të substancës vdekjeprurëse.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar