Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Afrim mes Shkupit dhe Sofjes, vizita e Ursula von der Leyen nxit iniciativën e re për dialog dypalësh

Redaksia Lajmetereja • 02-10-2026 14:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Afrim mes Shkupit dhe Sofjes, vizita e Ursula von der Leyen nxit iniciativën e re për dialog dypalësh
Vizita e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut ka sjellë zhvillime konkrete në drejtim të zhbllokimit të marrëdhënieve me Bullgarinë, duke paralajmëruar takime zyrtare qysh javën e ardhshme. Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se gjatë bisedimeve ka marrë sugjerimin e duhur për të ndërmarrë hapa konkretë. "Nga Presidentja mora këshillë që javën e ardhshme, ministri ynë i Jashtëm do të jetë në Sofje për Korridorin 8 dhe projektet në kuadër të Korridorit 8, të kërkojmë nga Sofja takim bilateral. Unë menjëherë kërkova nga ministri të dërgojë notë diplomatike dhe të kërkojë takim me kolegen e tij dhe të fillojë procesi prej diku", u shpreh kreu i ekzekutivit maqedonas. Mickoski gjithashtu i bëri thirrje zyrtarit të lartë evropian që Brukseli të ketë një rol më aktiv ndërmjetësues dhe garues në këtë proces. "Unë theksova që presim që edhe BE-ja të përfshihet në këtë proces. Nuk kërkojmë nga unioni që të marrë anë. Kërkojmë që të ndihmojë në krijimin e kushteve për zgjidhje evropiane që të qëndrueshme në të cilën ajo që do të dakordohemi do të ketë të qartë, detyrimet do të vlejnë për të gjithë kurse procesi i anëtarësimit nuk do të jetë sërish i hapur për kushtëzime të reja bilaterale. Çdo zgjidhje duhet të ofrojë siguri se me plotësimin e saj mbyllet një fazë dhe hapet rruga për fazën tjetër pa hapësirë për interpretime të reja ose kërkesa plotësuese", deklaroi ai. Nga ana e saj, Ursula von der Leyen vlerësoi lart ecurinë e Agjendës së reformave, por theksoi se ndryshimet kushtetuese mbeten kusht i pashmangshëm përpara. "Maqedonia e Veriut ka bërë që Plani i rritjes të jetë shumë i suksesshëm dhe kjo është gjithashtu falë meritës dhe angazhimit tuaj personal. Ju tashmë keni marrë 140 milion euro dhe pagesa të tjera do të bëhen javët e ardhshme. Progresi është mbresëlënës. Mbetet edhe një hap kyç që duhet ta ndërmerrni që të vazhdoni përpara dhe të hapni kapitujt e negociatave. E di se është çështje e ndjeshme. Por, gjithashtu dua të jem shumë e qartë se çfarë është BE-ja. Ne mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin dhe gjuhën e saj. Ne besojmë se gjuha dhe kultura maqedonase vetëm mund ta bëjnë unionin më të pasur", theksoi numri një i Komisionit Evropian. Gjatë fjalës së saj, ajo paralajmëroi se javën e ardhshme do të prezantohet strategjia e re e BE-së, e cila parashikon rivlerësimin e institucioneve, politikave dhe buxhetit para zgjerimit, ndërkohë që do të publikohet edhe udhërrëfyesi për shtetet që po avancojnë fuqishëm në negociata, si Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia. "Kemi të ashtuquajturën udhërrëfyes për ato vende që janë thellë në procesin negociuese dhe hapjen e mbylljen e kapitujve. Në momentin që do ta kemi zhbllokuar situatën këtu, mendimi im personal është që ne mund të jemi shumë të shpejtë me Maqedoninë sepse ne po punojmë veçmë për reformat e nevojshme. Ka akoma punë për të bërë, por është mbresëlënëse ajo që keni bërë deri më tani", shtoi ajo. Gjatë qëndrimit të saj në Shkup, ku po zhvillon turnejun e saj të gjashtë radhazi në rajon duke përfshirë edhe Shqipërinë, Kosovën e Malin e Zi, Von der Leyen zhvilloi takime edhe me Presidenten Gordana Siljanovska Davkova dhe inspektoi nga afër punimet për ndërtimin e Korridorit 8.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar