Kronikë
Mbledhja e jashtëzakonshme e KPK-së për Blerim Isufajn: IKD ngre alarmin për rrezikimin e PSRK-së
Reklamë e Sponsorizuar
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thirrur një mbledhje urgjente për sot në orën 15:00, me fokus kryesor shqyrtimin e performancës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, një zhvillim ky që ka ngjallur reagimin e menjëhershëm të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).
Përmes një reagimi publik, IKD ka shprehur shqetësimin e thellë për këtë thirrje të papritur, duke theksuar se parimi i llogaridhënies nuk duhet të shërbejë kurrë si pretekst për të ndërmarrë hapa të ngutshëm dhe procedura të paqarta ndaj një drejtuesi prokurorie. Ky shqetësim bëhet edhe më i madh duke pasur parasysh se PSRK-ja aktualisht po merret me dosje të ndjeshme që lidhen me krimin e organizuar dhe atë transnacional, në bashkëngjitje me partnerët ndërkombëtarë të vendit.
Sipas këtij institucioni, çdo ndryshim apo proces reformues brenda sistemit prokurorial duhet patjetër të forcojë besimin e qytetarëve dhe të ruajë integritetin e institucionit nga çdo hije e mundshme e ndërhyrjeve politike.
"KPK, para se të ndërmarrë çfarëdo veprimi lidhur me Kryeprokurorin e PSRK-së, duhet të marrë për bazë faktin se tanimë kemi një precedent serioz që ndërlidhet me vendimmarrje të shpejtë dhe të pabazuar nga ana e KPK-së, e që do të duhej të shërbejë si mësim institucional. Në fund të vitit 2025, KPK kishte shkarkuar Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit përmes një procedure të shpejtë dhe të kontestuar. Në dhjetor 2025, vetë Gjykata Supreme e anuloi këtë vendim si të kundërligjshëm. KPK duhet të marrë mësime nga rasti në fjalë dhe të shmangë përsëritjen e praktikave të vendimmarrjes së ngutshme", thuhet në qëndrimin e IKD-së.
Në vijim, IKD bën thirrje që çdo vendim që mund të cenojë mandatin e një krerëve të prokurorive të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe standardet e praktikës gjyqësore. Vlerësimet e punës duhet të mbështeten ekskluzivisht në kritere objektive, profesionale dhe të matshme, duke garantuar njëkohësisht autonominë e prokurorëve në hetimin e rasteve individuale.
"Kërkesa për llogaridhënie nuk duhet të përdoret si instrument apo mënyrë për ndërhyrje në pavarësinë funksionale të një zyre prokuroriale, sikurse pavarësia nuk mund të shfrytëzohet si arsyetim për mungesë të llogaridhënies. Këto dy standarde duhet të zbatohen në praktikë në mënyrë të drejtë, transparente dhe të balancuar", shtohet më tej.
Duke mos e kuptuar arsyen e kësaj situate emergjente, IKD kërkon sqarime se pse ky takim po zhvillohet pa u shterur më parë të gjitha rrugët dhe mjetet juridike të mundshme.
Në fund, IKD apelon pranë KPK-së që të garantojë një proces të drejtë dhe plotësisht të pavarur, duke shmangur çdo vendim që mund të dëmtojë sigurinë juridike, mbarëvajtjen dhe funksionalitetin e Prokurorisë Speciale, si dhe kredibilitetin e përgjithshëm të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: