Sport
Kurti nga Prishtina: Roli i grave është jetik për paqen, sigurinë dhe të ardhmen e vendit
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në punimet e ditës së dytë të konferencës ndërkombëtare “Partneritet për Ndryshim: Gratë që Transformojnë Sistemet – Avancimi i Parimeve të Prishtinës 2026–2035”.
Gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit vlerësoi se gratë në Kosovë kanë përfaqësuar gjithmonë shtyllën e qëndresës, historisë dhe progresit, duke theksuar detyrimin institucional që ky kontribut të kanalizohet drejt mundësive reale për pjesëmarrje dhe vendimmarrje.
“Fuqizimi i grave për ne nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore. Është edhe investim në zhvillimin ekonomik, social dhe demokratik të vendit. Dhe këtë e kemi shoqëruar si ekzekutiv me politika publike, buxhet adekuat dhe rezultate konkrete“, u deklarua Kurti, teksa përmendi si arritje punësimin e mbi 12 mijë grave, ndarjen e bursave për vajza, mbështetjen financiare për nënat dhe fëmijët, investimet në bujqësi dhe sipërmarrësi, si dhe masat e posaçme për mbijetuesit e dhunës përmes ndihmës juridike falas dhe subvencionimit të pagave.
Më tej, shefi i qeverisë veçoi se angazhimi i gjysmës së popullsisë shtrihet shumë më gjerë se sfera ekonomike apo institucionale, duke qenë themeltar edhe për sigurinë dhe paqen.
“Kosova e di nga përvoja e saj se paqja nuk ndërtohet vetëm në tryezën e negociatave. Ajo ndërtohet në familje, në komunitete dhe në institucione. Gratë e Kosovës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ndërtuese të paqes, mbrojtëse të familjeve dhe të komuniteteve, profesioniste në institucionet e sigurisë dhe zëra për drejtësi”, shtoi ai, duke nënvizuar se prania e tyre në këta sektorë përbën garanci për stabilitetin afatgjatë të shtetit.
Në përmbyllje, Kurti bëri thirrje se nuk mund të mendohet një e ardhme e qëndrueshme për Kosovën pa shfrytëzuar kapacitetet e plota të shoqërisë, çka kërkon investime të vazhdueshme në arsim, punësim, shëndetësi dhe barazi të plotë mundësish.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: