Sport
Nderimi madhështor që po planifikon Argjentina për Messin: Pengesa e madhe e FIFA-s
Reklamë e Sponsorizuar
Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) ka shprehur synimin e saj për të tërhequr nga përdorimi fanellën legjendare me numrin 10 të Lionel Messit, sapo ylli argjentinas t'i japë fund rrugëtimit me kombëtaren, megjithatë ky plan përballet me pengesën e qartë të rregulloreve të FIFA-s.
Në moshën 39-vjeçare, futbollisti ikonik pritet të zbresë në fushë të martën në stadiumin “Monumental” të Buenos Airesit kundër Beninit, duel ky që do të shënojë paraqitjen e tij të 208-të dhe njëkohësisht të fundit me fanellën e përfaqësueses. Kreu i AFA-s, Claudio Tapia, kishte shfaqur dëshirën që kjo fanellë, e mbajtur nga Messi që prej vitit 2009, të mos vishet më nga askush tjetër, si një shenjë mirënjohjeje për arritjet e jashtëzakonshme të tij, ku përfshihen triumfi në Kampionatin Botëror dhe dy trofetë e Copa América me fanellën e “Albiceleste-ve”.
Pavarësisht kësaj dëshire, Argjentina do të ketë mundësinë ta lërë të lirë numrin 10 vetëm në ndeshjet miqësore, por jo edhe në kompeticionet zyrtare ndërkombëtare. Udhëzimet e FIFA-s përcaktojnë qartë se federatat pjesëmarrëse duhet t'u atribuojnë lojtarëve të ftuar numrat nga 1 deri në 26.
Për rrjedhojë, gjatë një Kampionati Botëror apo një edicioni të Copa América, lojtari që do të pasojë Messin do të jetë i detyruar të mbajë mbi supe fanellën e famshme me numrin 10.
E vetmja mundësi teorike për ta luruar bosh këtë numër do të konsistonte në reduktimin e grupit të lojtarëve, duke mos thirrur një futbollist dhe duke u paraqitur me 25 lojtarë në vend të 26 të lejuarve. Megjithatë, nga ana sportive, një vendim i tillë do të konsiderohej plotësisht i pakuptimtë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: