Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Haxhiu: Zgjedhja e presidentit ka prioritet absolut mbi nismat ligjore për Specialen

Redaksia Lajmetereja • 02-10-2026 12:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Haxhiu: Zgjedhja e presidentit ka prioritet absolut mbi nismat ligjore për Specialen
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka theksuar se plotësimi i këtij institucioni kryesor duhet të vendoset mbi çdo çështje tjetër, duke hedhur poshtë çdo mundësi që kjo temë të kushtëzohet me miratimin e ndryshimeve ligjore të paraqitura nga Partia Demokratike e Kosovës për Dhomat e Specializuara. Gjatë prononcimit të saj, Haxhiu refuzoi çfarëdo lloj forme pazari politik rreth postit të kreut të shtetit, duke bërë thirrje që formacionet politike të ulen në tryezë dhe të harmonizojnë prioritetet shtetërore me përgjegjësi të lartë. “Unë kam përcjellë disa prej qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës, natyrisht që nuk janë gjithmonë të njëjta, ndërrojnë nga dita në ditë, nga përfaqësuesi në përfaqësues. Pra nuk ka një konsistencë në qëndrimet e tyre. Sa i përket deklaratës së zotit Hamza, meqë është kryetari i partisë po e marr si të mirëqenë, unë nuk jam që të bëhem pazare për këtë çështje. Unë mendoj që të gjithë me përgjegjësinë më të lartë që kemi duhet të ulemi dhe të flasim për prioritetet që i kemi, sepse për mua më e rëndësishme është që ta zgjedhim presidentin se sa që ta votojmë ligjin (ndryshimet ligjore të iniciuara nga PDK-ja për ligjin për Dhomat e Specializuara)”, u shpreh ajo. Sipas saj, trajtimi i projektligjit për ndryshimet në Dhomat e Specializuara dhe kërkesat e Kuvendit për një strategji të përbashkët institucionale mund të realizohen me sukses menjëherë pas konstituimit të presidentit. “Pse po e theksoj këtë? Sepse në qoftë se zgjidhet presidenti, atëherë do të kemi mundësi ta trajtojmë projektligjin, do të kemi mundësi që ta adresojmë kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për një strategji të përbashkët. Dhe për bindjen time më e qëlluar është strategjia e përbashkët ku mblidhen përfaqësuesit e institucioneve, ekspertë të fushës, ekipet mbrojtëse dhe përgatitemi e jemi në shërbim të ekipeve mbrojtëse në procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit, se sa të procedojmë nisma që ata vetë e dinë që mund të mos çojnë kërkund”, shtoi Haxhiu. Në fund, ajo paralajmëroi se çuarja e vendit drejt zgjedhjeve të reja nuk do të ofronte zgjidhje, por vetëm do ta kthente të njëjtin problem në tryezë, duke shtuar se figura si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi nuk do të ndiheshin të mbështetur nga shteti nëse krijohen kriza të panevojshme. “Prandaj prioritet mbi prioritetet është që ta kemi presidentin sepse edhe vetë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi nuk mendoj që do të ndiheshin që e kanë mbështetjen e shtetit në qoftë se ne me vetëdije të plotë e çojmë vendin në zgjedhje. Dhe sidomos, ju e dini shumë mirë që edhe pas zgjedhjeve situata nuk do të ndryshojë dhe sërish problemin e njëjtë do ta kemi në tavolinë. Atëherë pse jo tash? Pse duhet për të dytën herë na çojë çështja e presidentit në zgjedhje?”, përfundoi ajo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar