Politikë
Përplasje e ashpër në Komisionin e Ligjeve për Reformën Territoriale, Korreshi dhe Strazimiri kundër Manjës
Reklamë e Sponsorizuar
Mbledhja e Komisionit të Ligjeve, ku po diskutohej reforma administrativo-territoriale, është shoqëruar me debate të ashpra dhe tone të larta mes pozitës dhe opozitës.
Ligjvënësit e opozitës, Saimir Korreshi dhe Gent Strazimiri, kërkuan prerazi që Komisioni të shqyrtojë të gjitha qëndrimet e dërguara nga pushteti vendor dhe të integrojë propozimin e opozitës para se procesi i shqyrtimit të projektligjit të konsiderohet i mbyllur.
Në fjalën e tij, Korreshi e vuri theksin te sfidat e shumta me të cilat përballet vendi, ndërsa kritikoi procedurat e ndjekura nga mazhoranca, duke përdorur edhe një gjuhë ironike për kohën e shkurtër të shqyrtimit. “Ka Shqipëria pa fund probleme. Këto të bashkive kanë një problem, i janë drejtuar Kuvendit, jo Maznikut. I janë drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Po shkresat e mëparshme. Këta të reformës territoriale nuk dinë gjë, edhe ne të ligjit po në gjumë”, u shpreh ai, duke kërkuar vlerësimin e zërit të bashkive.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, reagoi ndaj këtyre akuzave duke theksuar se nisma e opozitës ka ndjekur të njëjtën rrugë zyrtare pranë qeverisjes vendore. “Sekretari i Përgjithshëm më ka bërë me dije se është nisur nisma juaj njësoj si e jona të gjitha Bashkive. Me të njëjtën procedurë, siç e keni kërkuar ju. Keni depozituar një projektligj dhe i keni kërkuar Kuvendit t’ua nisë të gjitha bashkive”, sqaroi Manja.
Debati u tensionua më tej me ndërhyrjen e deputetit demokrat Gent Strazimiri, i cili insistoi që procesi të mos finalizohej pa u marrë parasysh opinionet e pushtetit vendor dhe pa u bashkuar nismat në shqyrtim. “Kushtetuta ta ka mbyllur gojën, të ka lidhur duar e këmbë me nenet. Ti duhet ta kishe mbyllur këtë mbledhje që herës që të thashë unë. Të janë shprehur me shkrim këshillet bashkiake që nuk e duan”, deklaroi Strazimiri.
Përballë kësaj situate, Manja u përgjigj shkurt: “Mos e dëgjoni, e dëgjojmë ne”, ndërsa Strazimiri vazhdoi të kërkonte respektimin e afateve dhe bashkimin e dy projekteve. “Duhet të prisni dhe të vijnë dhe nismat tona, të bëhen bashkë. Ju thoni me datë 8 kjo ka mbaruar. Je në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit”, shtoi ai.
Në fund të fjalës së tij, Strazimiri solli në vëmendje edhe shifrat e bashkive që kanë shprehur interes mbi këtë çështje, duke njoftuar se numri i tyre është rritur nga 15 në 16, pas shtimit të Bashkisë së Krujës në këtë listë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: