Politikë
Boykotojnë mbledhjen, deputetët e PDK-së: Situata në vend kërkon reflektim, jo punë rutinë në Kuvend
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku, kanë braktisur mbledhjen e këtij komisioni, duke kundërshtuar vazhdimin e punëve të zakonshme në rrethanat aktuale politike.
Deputetja Ganimete Musliu bëri të ditur se prezenca e saj në sallë kishte për qëllim vetëm konfirmimin e konstituimit të komisionit dhe funksionalizimin e trupave të Kuvendit, mirëpo ajo theksoi se vendi po kalon nëpër një gjendje të jashtëzakonshme që nuk lejon sjellje indiferente nga ana e institucioneve.
“Vërtet sot jam këtu vetëm për të konfirmuar konstituimin e këtij komisioni dhe për t’i bërë funksional të gjithë trupat e Kuvendit që i duhen për të funksionuar një Kuvend normal, por sot, dje, e po shpresoj që nesër do të kemi një ditë tjetër, nuk mund të sjellemi normal e të mbajmë rend të ditës e procesverbalet të zakonshme, e të sjellemi si gjithçka po funksionon normal e Kuvendi t’i vazhdojë punimet rutinë, sikur gjithçka në këtë vend është normal, kur në fakt gjendja në Kosovë nuk është normale, është një gjendje e jashtëzakonshme. Kuvendi, si institucioni më i lartë përfaqësues i popullit, nuk guxon në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë të jetë indiferent ndaj zërit të popullit. Sot jemi dëshmitarë të gjithë që jo vetëm në sheshin e Prishtinës, por në të gjitha sheshet e komunave të Kosovës, ose të them më troç, në gjithë Kosovën e edhe në mërgatë, qytetarët e Republikës së Kosovës i kanë drejtuar sytë nga institucionet, i kanë drejtuar sidomos sytë nga ky Kuvend që është edhe njëherë po e përsëris institucioni më i lartë përfaqësues që del direkt nga vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe kërkojnë që ky Kuvend mos të ketë asnjë prioritet tjetër para shqyrtimit ose plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara”, deklaroi ajo.
Musliu theksoi gjithashtu se çështja e Dhomave të Specializuara kalontej kufijtë e individëve, duke e quajtur vendimin e Gjykatës Speciale si një akt politik që prek historinë e vendit, andaj kërkoi unitet politik tejkalues të dallimeve partiake.
“Prandaj, unë e kundërshtoj mbajtjen e një mbledhje rutinë, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës po kërkojnë diçka tjetër dhe ne jemi këtu për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë e di që ne mund të kemi dallime politike për shumë çështje, por këtu nuk guxojmë të kemi dallime, këtu duhet të jemi bashkë. Nuk ka rëndësi a jemi parti politike të ndryshme, nuk ka rëndësi a jemi nacionalitet të ndryshme, unë konsideroj që për Republikën e Kosovës nuk ka asnjë çështje më prioritare se çështja e Dhomave të Specializuara në Hagë”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se në Hagë nuk janë gjykuar emra të përveçëm, por vetë historia e popullit të Kosovës, duke kritikuar ashpër trupat gjyqësore dhe duke refuzuar votimin e rendit të ditës.
“Në Hagë nuk janë gjykuar individët, në Hagë nuk janë gjykuar emrat e përvetshëm, është gjykuar historia jonë. Në Hagë është marrë një vendim politik, është lexuar një pamflet politik nga gjyqtarë të korruptuar politik, prandaj edhe veprimet tona duhet të jenë të shpejta, duhet të jenë politike, duhet të jenë të zgjuara dhe duhet të jenë në përgjigjen konforme kërkesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj unë nuk e votoj këtë rend dite dhe nuk marr pjesë në një komision që është kaq indiferent ndaj situatave të cilat po kalon vendi ynë“, tha Musliu.
Në mbështetje të këtij qëndrimi u rendit edhe deputeti Fadil Demaku, i cili vuri theksin te nevoja e ngutshme për trajtimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara si prioritet absolut të Kuvendit.
“Vetëm dua të konfirmoj atë që tha kolegia Ganimete Musliu, se prioritet për Kuvendin e Republikës së Kosovës sot është projektligji për Dhomat e Specializuara. Unë mendoj që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të gjejnë sa më shpejt një unifikim të përbashkët dhe krejt potencialin tonë në këto ditë ta vënë në shërbim të këtij projektligji. Ky është prioriteti numër një. Çështjet e tjera asnjëra nuk është me nguti dhe të gjitha mund të presin. Ne jemi këtu si përfaqësues të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, deklaroi Demaku.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: